Cakolli: Edhe nëse miratohen, presidenti nga populli mund të zgjidhet tek më 2031

Eugen Cakolli nga IKD ka thënë se si procedura për zgjedhjen e presidentit nga populli ashtu edhe përmbajtja e amandamenteve kushtetuese të dorëzuara nga presidentja, tregojnë se ajo nuk e adreson situatën aktuale dhe krizën potenciale nga moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi.

Ai ka sqaruar se derisa për ndryshime kushtetuese duhen 80 vota në Kuvend, ky prag është shumë i lartë dhe kërkon marrëveshje të gjerë politike ndërmjet shumicës dhe komuniteteve. E sipas tij, në rrethanat aktuale parlamentare, një shumicë e tillë është tejet e vështirë të arrihet.

Cakolli ka shpjeguar tutje se çka ndodh edhe nëse amandamentet miratohen.

“Së dyti, edhe nëse këto amendamente miratohen, vetë teksti i tyre parasheh që zgjedhjet presidenciale shpallen jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit. Ky rregull është menduar për një situatë të zakonshme institucionale, kur kalendari zgjedhor është i parashikueshëm dhe mandati presidencial po i afrohet fundit të tij. Në rrethanat aktuale kjo formulë nuk mund të zbatohet, andaj edhe nëse amendamenti do të hynte në fuqi tani, ai praktikisht do të zbatohej nga viti 2031”, ka shkruar ai në Facebook.

Cakolli ka theksuar se në rrethanat aktuale propozimi për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit nuk ofron një zgjidhje të menjëhershme për situatën aktuale institucionale. Ai ka potencuar se për të shmangur pasiguri dhe vakuum institucional, çdo ndryshim kushtetues kërkon kohë, konsensus të gjerë politik dhe një tranzicion të qartë juridik.

“Së treti, kalimi në një model të ri të zgjedhjes së Presidentit kërkon edhe miratimin e një kornize të tërë ligjore dhe nënligjore që rregullon procesin zgjedhor, administrimin e zgjedhjeve, kandidimin dhe shumë aspekte tjera. Hartimi dhe miratimi i këtyre akteve brenda një kohe kaq të shkurtër do të ishte praktikisht i pamundur. Për më tepër, vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar në vendimin e fundit – kur ishin anuluar shumë projektligje – se procedurat e “super”-përshpejtuara që shmangin standardet e rregullta ligjvënëse cenojnë sigurinë juridike”, ka përfunduar Cakolli.