Cakolli: Deputetët që iu dolën më shumë vota duhet të mos e pranojnë mandatin

Me përfundimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit dhe rinumërimin e votave të kandidatëve për deputetë dolën në pahë shumë parregullsi ku shumë kandidatëve iu shtuan vota, e disa të tjervë ju hoqën ato.

Ndonëse asnjë deputet që doli me më shumë vota nuk dha dorëheqje, anëtarët e Shoqërisë Civile vlerësojnë se ata duhet të largohen vetë nga Kuvendi.

Eugen Cakolli, në një prononcim për Gazeta Metro, tha se largimin e tyre mund ta bëjnë edhe vetë partitë përkatëse.

“Dhe unë besoj që, në fakt, të paktën për nga prizmi moral, meqenëse ligjërisht, për sa kohë që të njëjtit nuk kanë vendim gjyqësor që tregon se kanë qenë të përfshirë në keqpërdorim të votave, nuk është se mund t’u merret mandati, por nga aspekti moral do duhej që ose të largohen vetë kandidatët në fjalë, sidomos disa prej tyre, të cilët dallimin në vota e kanë me mijëra sosh, deri sa të ketë sqarim. Ose tjetra, në rast se partitë do të ishin me të vërtetë të interesuara për parimet e integritetit zgjedhor, që të njëjtëve t’ua kërkonin ose t’i largonin të paktën nga strukturat, meqenëse unë besoj që nuk i kontribuon as Kuvendit dhe, në fakt, e minon vetë besimin e publikut në rolin përfaqësues të Kuvendit, nëse kemi të zgjedhur deputetë të cilët kanë ardhur aty me një pjesë të votave, të cilat ose kanë rezultuar ose janë në fakt të keqpërdorura. Prandaj, unë besoj që në këtë prizëm do të duhej që kandidatët, si zgjidhja më e mirë, të largohen vetë, në mënyrë që të mos ketë nevojë për përjashtime apo të ngjashme”, tha Cakolli

Deputetët që siguruan ulëse, pavarësisht manipulimit me vota, mandatin nuk mund t’ua marrë as ligji, pasi proceset gjyqësore zgjasin tepër shumë.

“Në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, në rast se deputetë të caktuar do ta marrin mandatin, pavarësisht dyshimeve, nevojitet që për ta të ketë dënim të formës së prerë nga ana e gjykatave, përkatësisht të paktën nga apeli, me të paktën një vit burgim efektiv, në mënyrë që atyre t’u pushojë automatikisht mandati. Por, duke e ditur kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore në Kosovë, nuk pres në fakt që aktgjykime të tilla të marrin formë të prerë brenda një periudhe të shpejtë, meqenëse zakonisht marrin vite të tëra”, tha ndër të tjera Cakolli.

Ndërkaq, edhe prokuroritë tashmë kanë filluar hetimet për manipulimet me vota, ku gjatë hetimeve janë ndaluar dhe arrestuar disa dhjetëra komisionerë dhe kryesues të qendrave të numërimit në disa komuna. Në Prizren janë ndaluar mbi 100 persona, prej të cilëve 23 janë dërguar në paraburgim të mëtejshëm. Në Mitrovicë, 34 persona janë ndaluar nën dyshimet për manipulim, ndërsa për 10 të tjerë është kërkuar paraburgim 30-ditor. Në Malishevë, 15 kryetarë të komisioneve zgjedhore janë vendosur në paraburgim dhe dhjetëra të tjerë janë marrë në pyetje. Hetimet vazhdojnë, ndërsa numri i të ndaluarve mund të rritet.