Cakolli alarmon për përpjekje të re për bllokadë: “Presidentja duhet të veprojë”

Eugen Cakolli ka alarmuar për mundësinë e një “bllokade” të re që mund të shkaktohet nga procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të lëviz para se të bëhet vonë.

Pjesëtari i shoqërisë civile, i cili monitoron nga afër zhvillimet politike, tha sot se Vetëvendosje po përpiqet që të pengojë funksionalizimin e plotë të KQZ-së përmes një debati “të sqaruar prej kohësh”.

Ai i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që të mos lejojë hapësirë për devijime nga ajo që parasheh korniza ligjore.

Shkrimi i plotë i Cakollit:

Propozimi i tre kandidatëve nga LVV për përbërjen e KQZ-së e rikthen kot së koti në debat një çështje që është e sqaruar prej kohësh, si në nivel kushtetues ashtu edhe në praktikë. Për më keq, kjo duket si përpjekje për të penguar funksionalizimin e plotë, apo për të krijuar bazë për kontestim të përbërjes së re të KQZ-së – pikërisht në prag të një mundësie reale për zgjedhje të reja.

Tash, sa i përket përbërjes së KQZ-së, modeli që aplikon Kosova është strikt, e jo proporcional, që nënkupton se grupet parlamentare me të drejtë përfaqësimi propozojnë nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve. Edhe në situata kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël, nuk kalohet në ndarje proporcionale, sepse formula mbetet e njëjtë dhe duhet të zbatohet në mënyrë konsistente.

Ky model gjithëpërfshirës është ndërtuar pikërisht për të garantuar që asnjë shumicë, pavarësisht rezultatit zgjedhor, të mos ketë kontroll mbi një institucion që duhet të mbetet i paanshëm.

Kjo çështje është trajtuar edhe më herët nga Gjykata Kushtetuese, në të paktën dy raste për situata shumë të ngjashme, ku është konfirmuar zbatimi i modelit strikt të përfaqësimit në përbërjen e KQZ-së. Madje, rasti i vitit 2021 është veçanërisht ilustrues, kur LVV kishte mbi 50% të votave, por kishte të drejtë propozimi vetëm për dy anëtarë. Edhe në kontekstin aktual, ndarja është e qartë: LVV duhet t’i ketë dy anëtarë, PDK-ja gjithashtu dy, ndërsa LDK dhe AAK nga një anëtar.

Prandaj, është e rëndësishme që Presidentja Vjosa Osmani, në ditët e mbetura të mandatit të saj, të mos lejojë hapësirë për paqartësi apo devijime nga kjo kornizë. Ajo duhet ose të kërkojë nga LVV të propozojë dy kandidatë në përputhje me formulën ligjore, ose të procedojë me emërimin e dy prej tre emrave të propozuar, sipas diskrecionit që i’a njeh ligji.