“Buxheti”, Hoti: Pas shkeljes ligjore nga qeveria në detyrë, njëjtë veproi edhe Basha

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas dërgimit të Projektligjit për buxhetin e vitit 2026 në Kuvend nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit.

Sipas tij, ky veprim është bërë në kundërshtim me ligjin dhe përbën tejkalim të kompetencave që ka një qeveri në detyrë.

Hoti ka bërë të ditur se deputetët e Kuvendit kanë pranuar në adresat e tyre zyrtare projektligjin, të cilin e ka miratuar Qeveria në detyrë të premten, dhe që më pas është shpërndarë nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha. Ai e ka cilësuar këtë si përfshirje të Bashës në shkelje ligjore.

“Dje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pranuar në adresat zyrtare Projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili është miratuar nga Qeveria në detyrë dhe kundërligjshëm është dorëzuar në Kuvend. Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë tek deputetët.  Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën, ka pasur raste kur Qeveria në detyrë e ka përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Hoti ka theksuar se shkelja bëhet edhe më e rëndë pasi, sipas tij, projektligji është prezantuar në mbledhjen e qeverisë nga një deputet dhe është dorëzuar në Kuvend nga një tjetër, të cilët, bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Supreme, “janë duke i mbajtur kundërligjshëm pozitat e ministrit dhe kryeministrit”.

“Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër që të shohim veprime institucionale, të bazuara në ligje, nga organet e sundimit të ligjit për të parandaluar këto shkelje ligjore dhe abuzime me resurset publike”, shkroi tutje ai.

Përveç qeverisë në detyrë, Hoti pati kritika edhe për Presidencën.