Mjeku popullor i njohur në opinion si Burdushi, është vizituar dje në qendrën e paraburgimit në Prishtinë nga monitorues të KMDLNJ-së, kjo me ftesë të avokatit të tij mbrojtës.
Përmes një njoftimi të dërguar për media, u bë e ditur se Hysri Peqani ka thënë para monitoruesve se s’ka vërejtje për kushtet në këtë qendër, derisa shtoi se stafi sipas tij sillen korrektë e nuk e diskriminojnë.
:Sipas tij, ankesa e vetme është për padrejtësitë që po i bëhen atij duke e mbajtur padrejtësisht dhe me prapavija të tjera në paraburgim. Ai pohoi se qëllimi i vetëm është marrja e disa pronave të tij dhe se me arrestimin dhe mbajtjen e tij po duan që të kenë publicitet. Ai, ka thënë se veprimtaria e tij është legale, mjekësi sociale (85/14), këshillëdhënëse, nga e cila posedon dokumentacionin për trajtimin e secilit që ka kërkuar ndihmë tek ai”, shtohet tutje.
“KMDLNj , pas vizitës dhe bisedës me të paraburgosurin Hysri Peqani konstaston se te drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria në rastin konkret janë në pajtim të plotë me ligjet në fuqi , me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ndërkaq që nuk paragjykon fajësinë apo pafajësinë e të paraburgosurit , pa një vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
Edhe sa i përket marrjes së pronave të të paraburgosurit Peqani , gjykata merr vendim për këtë ndërkaq që i paraburgosuri nuk është i privuar nga e drejta për mbrojtje, si për dëshmim të pafajësisë , ashtu edhe për mbrojtje të pasurisë dhe pronës, përkohësisht të sekuestruar”, thuhet në komunikatë.