Dy vendime të kundërligjshme të Burbuqe Hanës në Telekomin e Kosovës do t’i kushtojnë kuletes së ndërmarrjes publike. Njëri nga punëtorët e Telekomit e ka fituar rastin në gjykatë lidhur me zbritjen e pagës dhe revokimin e kontratës nga një vendim i marrë nga kryeshefja ekzekutive në kohën si ushtruese detyre. Për vetëm një rast, Telekomi do të obligohet t’i paguajë gati 30 mijë euro.
Gjykata Themelore në Prishtinë në një vendim të 21 nëntorit të vitit që shkoi i ka dhënë të drejtë paditësit (punëtor i Telekomit), duke konstatuar diferencimin në pagë dhe revokimin e kundërligjshëm të kontratës nga ana e punëdhënësit.
Në vendimin e shkallës së parë që ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se Telekomi detyrohet t’ia kompensojë 16,253 euro në pagë, 2,424 euro për ushqim, në emër të shtesës 0.5 për qind të përvojës së punës shumën prej 4,308 euro për periudhën 2018-2022 dhe në emër të tatimit të mbajtur në burim shumën prej 1,730 euro dhe trustin pensional 1,300 euro. Po ashtu, Telekomi do të obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore në vlerë prej 1,339 eurosh.
Vlera totale e pagesës që do të paguajë Telekomi në rastin e përfaqësuar nga avokatja Mevlyde Qerimi, si shkak i dy vendimeve të kundërligjshme të Hanës, është 27,354 euro.
Në arsyetimin e gjykatës thuhet se është caktuar një ekspert për ta bërë ekspertizën financiare përpara vendimit, ku përmendet konstatimi si në vijim:
“K shtuar se pasi që në marrëdhëniet e punës nuk mund të ndryshohet paga pa marrëveshje të dyanshme në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Përveç ndryshimi të koeficientit pas një kohe e paditura e ka marr një vendim tjetër me të cilin për disa punonjës e ka ndryshuar vendimin, duke e anuluar ndryshimin e koeficientit dhe të gradëve dhe me këtë konsiderojmë se ndaj paditësit është bërë edhe diskriminimi në page. Po ashtu i njëjtit i është mohuar edhe e drejta për realizimin e pagës jubilare, sipas kontratës kolektive pasi që i njëjti i ka kaluar më tepër se 10 vite në marrëdhënie të punës me të paditurën. Saj përket ekspertizës financiare të njëjtën e kemi pranuar dhe për të njëjtën nuk kemi ndonjë pyetje po vërtetje”.
“Gjykata vlerëson se kushtet e kontratës së lidhur në mes të paditësit dhe të paditurës, duke përfshirë edhe lartësinë e pagës përkatësisht gradën sipas të cilës do të paguhet paga e paditësi janë në harmoni të plotë me dispozitat ligjore dhe janë në harmoni të plotë me Ligjin e Punës”, thuhet në vendim.
Me të ardhur në pushtet si ushtruese e detyrës në prill të 2020’ës, Hana kishte kërkuar nga Bordi i Drejtorëve zbritjen e pagave të disa prej punonjësve, nën pretendimin se ndërmarrja publike ishte në krizë financiare.
Ndërkaq më 2021-ën, si ushtruese e detyrës nën Qeverinë Kurti II, mori vendim për revokim të kontratave të punës në mënyrë të njëanshme. Saktësisht në vendimin e 2021’ës precizohet se punësimet e 2018’ës dhe 2019’ës të cilat janë graduar me vendime dhe nuk kanë kontratë pune për pozitën aktuale të kthehen në kontratën bazë të punës./sinjali