Bullgaria mohon se Moska ndërhyri te GPS-i i avionit të von der Leyen

Bullgaria ka hedhur poshtë pretendimet se dyshohej se Moska kishte ndërhyrë në sistemin GPS të avionit që transportonte Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Kjo vjen pak ditë pasi Komisioni Europian citonte autoritetet bullgare duke sugjeruar se incidenti mund të ketë qenë “për shkak të ndërhyrjes së qartë nga Rusia.”

Kryeministri bullgar Rosen Zhelyazkov tha para parlamentit të enjten se avioni i von der Leyen nuk kishte pasur “ndërhyrje të zgjatur apo jamming”. Ai shtoi se megjithëse nuk është regjistruar ndërhyrje nga instrumentet tokësore, kjo nuk përjashton mundësinë që pajisjet brenda avionit të kenë identifikuar ndonjë ndërhyrje.

Por sipas asaj që thonë mediat e huaja ndërhyrjet në GPS brenda avionit mund të ishin të mundshme, pavarësisht se nuk u konstatua jamming në zonë. Disa ekspertë gjithashtu sugjeruan mundësinë e një “spoofing”-u, një metodë shumë e sofistikuar që manipulohet me sinjale false dhe besohet se është në dorë vetëm të aktorëve shtetërorë.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Grozdan Karadjov, mohoi se qeveria bullgare kishte dërguar ndonjë informacion tek Komisioni Evropian që akuzonte Rusinë. Autoritetet e aviacionit bullgar i kanë dorëzuar Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA) një raport mbi bisedën mes pilotit dhe kullës së kontrollit, ku përmenden “probleme të vogla” me GPS-in, pa përmendur ndërhyrje ruse.

Incidenti ka shkaktuar spekulime të shumta për shkak të vonesës së uljes së avionit në aeroportin e Plovdivit. Megjithatë, të dhënat e hapura të gjurmimit të fluturimeve tregojnë se avioni u ul me rreth 9 minuta vonesë, duke mohuar raportimet për një vonesë prej një ore.

Ekspertët nënvizojnë se ndërhyrje të tilla mund të ndodhin, por nuk ka prova të qarta për jamming në zonën e Plovdivit atë ditë. Analiza e kompanisë Flightradar24 tregon se sinjali GPS nga avioni ishte i mirë gjatë gjithë fluturimit, duke sugjeruar se pilotët përballuan çështje të brendshme në avion dhe u ulën pa problem duke përdorur sistemin ILS të navigimit.

Megjithatë, Rusia ka intensifikuar ndërhyrjet në GPS që synojnë avionë dhe anije që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, veçanërisht në zonën përreth Detit Baltik. Një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi se ky problem është i zakonshëm dhe kërkon veprime të koordinuara nga BE-ja për ta trajtuar këtë kërcënim.