Nga viti në vit, bujqësia vendore po tkurret në hektarë e në bereqetin e saj me grurë. Përtej togfjalëshit të stërpërsëritur për sigurimin e “bukës së motmotit”, shifrat zyrtare e përshfaqin një Kosovë të varur mozomakeq nga importet. Për katër vite konsekutivisht, politikat qeveritare për bujqësinë kanë qenë të formës së sadakasë – janë subvencionuar kultura drithërash, si gruri, që nuk janë përkthyer në më shumë bereqet për vendin. Në Kosovën agrare, në kushtet e një bujqësie ekstensive dhe fare pak të modernizuar, deri vonë përdoreshin ‘besharetat’, figura të ngjashme me njeriun, të bëra prej shkopinjsh, me petka të vjetra e kashtë, që viheshin në ara për të trembur shpendët dëmtues si laraskat. Pas katër vitesh të kaluara si ministër bujqësie, dikujt i shkrepi mendimi i bukur që ‘besharetizmin’ e sadakave ta replikonte edhe në Mitrovicë. Përkundër këshillave qëllimmira të ekspertëve perëndimorë, pushteti i gjertanishëm i Vetëvendosjes nuk i ka shqyrtuar asnjëherë efektet e subvencionimeve (targetet, të hyrat dhe prodhimin). Motivet populliste duket të jenë më të fuqishme sesa ndjeshmëria ndaj parasë publike dhe të ardhmes së bujqësisë. Në mungesë të alternativave qeverisëse që iu përshtaten nevojave lokale, Vetëvendosja dhe partizat e saj satelite propozojnë kudo vetëm modelin e sadakasë. A ka nevojë Mitrovica për të?
Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci tashmë është vetëstilizuar si “figurë qendrore e politikës” pa i pritur raportet vlerësuese për performancat dhe as shifrat krahasimore me ministra pararendës e pasrendës në fushën e bujqësisë.
Me këtë trashëgimi, ai ka mësyrë garën për të parin e komunës së Mitrovicës e me po këtë synon edhe të dalë i fituar në balotazh.
Në komunën ku kanë të drejtë vote 84,695 qytetarë, Peci në fund të gushtit shpalosi një ‘program‘ me 261 fjalë si vizion i tij për të ardhmen e qytetit buzë Ibrit.
“Bujqësia trajtim si asnjëherë më parë nga qeveria komunale”, premtoi ai si në tym për mitrovicasit e rretheve rurale.
Por, pyetja që do të duhej bërë gjatë fushatës është si u trajtua bujqësia tash e pesë vite?
Dhe, po kështu, a meriton modeli qendror i politikave bujqësore të shumëzohet në nivelet lokale të pushtetit?
Tabloja e zezë e bujqësisë pece
Qeveria e kaluar e Albin Kurtit nuk e ka lëshuar nga goja narrativën e saj për demek të arritura rekorde në historinë e bujqësisë më vend.
E kopjuar fillimisht prej shefit të tij Albin Kurti, maksima “Buka e motmotit” u bë fjalëkyçe për ministrin e entuziazmuar në kohën e korrrje-shirjeve.
Pavarësisht manipulimit me shifra të cubuara nga konteksti, një vështrim sinoptik mbi të dhëna zyrtare të vetë Ministrisë së Bujqësisë zbulon se as hambarët nuk janë të mbushur me më shumë bereqet dhe as sipërfaqet e mbjella me kulturat e drithërave nuk janë më të mëdha sesa në vitet që pasuan pavarësinë.
Kjo tablo jo fort e lavdërueshme për nga bereqeti është në kontrast të plotë me politikat subvencionuese të shtetit.
Ndonëse ‘sadaka’ nga shteti – si fjala vjen për vitin 2023 – ka qenë në vlerë prej 16 milionë eurosh si masë nxitëse për bujqit, rendimentet kanë qenë njësoj si në vitet e kaluara dhe importet po ashtu.
Në maj të këtij viti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nxori publikimin e radhës të quajtur “Katalogu ekonomik për prodhime bujqësore 2024”, qëllimi i të cilit ishte dhënia e një pasqyre mbi shpenzimet dhe përfitimet në bujqësi.
Nga të dhënat e stivuara aty, zyrtarët në këtë Ministri e pranojnë në mënyrë tacite se shteti është mjaft i gjymertë për të subvencionuar një kulturë drithi, si gruri, që është krejtësisht joprofitabile.
Të ardhurat për një hektar janë 1.005 euro, porse shpezat e përgjithshme për të mbërrijnë në 1,240 euro, ku, sipas një hesapi të thjeshtë aritmetikor, rezulton me një minus prej 235 eurosh.
Vetëm shtesa subvencionuese në lartësi prej 484 eurosh ka krijuar ‘fluskën’ iluzive të fitimit prej 249 eurosh që gjasmë mbetet në xhepin e bujkut.
Ndonëse misri është larg më fitimprurës sesa gruri – fjala vjen, kjo kulturë sjell të ardhura prej 276 eurosh për hektar, kurse me subvencion fitimi mbërrin 605 euro – politikat subvencionuese të Ministrisë duket se nuk e kanë çarë kokën për analiza të tilla.
Sepse ‘gruri’ ka qenë më i bereqetshëm për narrativat e regjimit të Kurtit dhe, me gjasmë, edhe për krijimin e bazave klientaliste për vota.
Krahasimi me Maqedoninë
Prej kohësh, ekspertët e huaj kanë tërhequr vërejtjen se ‘sadaka’ në formë subvencionesh as nuk e rrit prodhimin, as nuk e nxit konkurueshmërinë dhe as nuk i favorizon shndrrimet strukturore.
Se politika e gjymertë e Kurtit dhe Pecit për subvencione bujqësore është shpërdorim brutal i parasë publike, shembulli i Maqedonisë së Veriut është së tejmi domethënës.
Subvencionimi në shtetin fqinj është dyfish më i ulët sesa ai në Kosovë: simbas të dhënave zyrtare për vitin 2023, Ministria e Bujqësisë në Maqedoni e subvenciononte grurin me 12,000 denarë për hektar (rreth 200 euro).
Me një sipërfaqe grunajash prej 70 mijë hektarësh, pothuajse të njejtë sa Kosova, ekspertët në Maqedoni vetëm për sivjet pritjet i kanë pasur për një bereqet prej 280 deri në 300 mijë tonë grurë.
Së këndejmi, një vështrim krahasimor nxjerr se Kosova dhe Maqedonia, me sipërfaqe gati të njëjta të tokave të mbjella me kulturën e grurit, kanë prodhim gati të njëjtë.
Dallimi i vetëm është se vendi ynë ka shifrat më të larta në rajon, dhe më gjerë, për subvencionime bujqësore.
Sipas një të dhëne, Maqedonia më 2019 prodhoi 239,916 kilogramë grurë (nga 68,959 hektarë të mbjellë); më 2020 246,031 kilogramë grurë (nga 69,902 hektarë), dhe më 2021 prodhoi 243,208 kg (nga 70,515 hektarë).
Për të njëjtat vite, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë në Kosovë, Kosova më 2019 prodhoi 284,999 kilogramë grurë (nga 80,273 hektarë); më 2020 prodhoi 341,818 kilogramë (nga 80,473 hektarë), dhe më 2021 nxori 322,018 kg (nga 79,970 hektarë).
Tkurrja e tokave me grurë
Megjithëse nga viti në vit, ish-ministri Peci ka folur për ‘rekorde’ me sipërfaqe të mbjella të drithit të grurit, shifrat zyrtare të përqasura edhe me vitet paraprake vënë në pah se nuk ka më shumë grunaja në Kosovë, madje ka tkurrje të tyre.
Ndonëse nuk është e konfirmuar nga të dhënat relevante, sivjet, së paku sipas pretendimit të ish-ministrit, Kosova pati të mbjellë 75 mijë hektarë.
Vjet, vendi pati 53 mijë hektarë grunaja, meqë vetë Peci u mburr për 21 hektarë më shumë të mbjellë gjatë këtij viti.
Ndërsa regjimi ka investuar me të madhe në krijimin e një imazhi për prodhimtari rekorde — me performanca të Kurtit e Pecit para kombajnash — të dhënat zyrtare nga vetë aparati qeveritar flasin për tkurrje të sipërfaqeve me grurë.
Sa për krahasim mjaftojnë dromcat statistikore në vijim: më 2020 Kosova pati 80,473 hektarë tokë të mbjellë me grurë; më 2019 80,273 hektarë; më 2018 81,123 hektarë; më 2017 80,519; më 2016 89,122; më 2015 89,942; më 2014 90,728; më 2013 101,846; më 2012 102,918; më 2011 79,928; më 2010 78,420; më 2009 77,938 dhe më 2008 72,131.
Faleminderit shtetit amë!
Për aq sa shkojnë statistikat, prodhimi i paktë agrikultural arrin të dalë jashtë kufijve vetëm falë eksportit drejt shtetit amë – Shqipërisë.
Fjala vjen, sipas të dhënave për vitin 2021, Kosova partnerin e saj kryesor bujqësor e kishte Shqipërinë.
Eksportet drejt tregjeve të BE-së vazhdojnë të mos e luhatin tablonë e përgjithshme ku importet e prodhimeve bujqësore janë larg më të mëdha sesa eksportet.
Të dhënat nga viti 2021 japin një gjendje shpresëpakët që vjen nga nivelet e larta të importit.
Serbia ka hisen më të madhe prej 16 për qind të mbushjes së tregut të Kosovës me prodhime bujqësore, ndjekur prej Maqedonisë së Veriut me 6 për qind, Shqipërisë me 3 për qind, Bosnjës me 2 për qind si dhe Malit të Zi me 1 për qind.
Sipas një shkurtore të Stephan von Cramonit nga Universiteti i Göttingenit, hisja e bujqësisë në GDP-në e vendit, për vitin 2021, nuk ishte kushedi sa domethënëse.
Ajo është 6,9 për qind që i bie më pak se ndërtimtaria (8.5 për qind), industria përpunuese (12.9), tregtia (13.6) apo financat e patundshmëritë (10.1).
Ana negative e subvencioneve
Sapo pushojnë trumpetat me statistika e rekorde nga qeveria, pikëpamjet e ekspertëve të huaj nuk është se e lavdërojnë modelin e sadakesë.
Sipas ekspertit gjerman Stephan von Cramon, politika mbështetëse e ka anë pozitive vetëm faktin që është e përputhsh,e me Shtyllën I të Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së.
Ajo parasheh pagesa të drejpërdrejta vjetore për bujqit dhe masa në treg (për t’i trajtuar gjendjet e veçanta në treg dhe për të mbështetur tregtinë).
Por, ana tjetër e një politike të tillë peshon goxha negativisht.
Pagesat e tilla, sipas ekspertëve, shtrembërojnë vendimet për sa i përket prodhimit.
Politika e tillë sociale e ngadalëson thelbësisht ndryshimin strukturor dhe nuk e hovizon potencialin kompetitiv.
Sadaka po, investime në kapital njerëzor jo
Sipas të dhënave për vitin 2022 nga SARD (Strategy for Agriculture and Rural Development), harxhimet e parave të dedikuara për bujqësinë 70 për qind kanë shkuar në subvencionime, 21 për qind në grante, 3 për qind në paga e shitje, 3 për qind në projekte kapitale, po aq sa edhe për mallra e shërbime.
Kështu, Ministria e Bujqësisë, Albin Kurti e Faton Peci nuk japin dot përgjigjje për ‘detyrat’ larg më sfiduese që sugjerojnë ekspertët dhe njohësit ndërkombëtarë të bujqësisë.
Subvencionimet nuk janë shoqëruar me shqyrtim të efekteve të tyre (targetet, të hyrat dhe prodhimi).
Po të njëjtat nuk janë kahëzuar me investime në kapital njerëzor, kapacitet institucional e infrastrukturë që prodhon përfitime largvajtëse.
Ndryshim paradigme
Një nga pikat ku merr në thua ‘politika bujqësore’ e Kurtit është ngecia e saj sa i përket harmonizimit me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së – dhe njëra prej tyre është fuqizimi i kapacitetit analitik që është i nevojshëm për vlerësime të mbështetura në dëshmi e përmirësim politikash.
Hans Kordik, ekonomist e njohës i bujqësisë, ka vlerësuar se Kosova ka nevojë që ta ndërrojë paradigmën e saj sa i përket sistemit subvencionues në bujqësi.
Në një analizë të bërë në fillim të këtij viti, ai shkruan se “pagesat e drejtpërdrejta luajnë një rol mbizotërues në mbështetjen e përgjithshme bujqësore, por bëjnë pak e hiç për të fuqizuar konkurueshmërinë dhe përmirësuar prodhimtarinë bujqësore”.
Sipas tij, 105 mijë bujq menaxhojnë afër 50 për qind të tokës së Kosovës, ku ky sektor punëson rrth 23 për qind të fuqisë punëtore me një hise prej 7.2 për qind në GDP-në e vendit.
Shpenzime shumë, fitime pak
Duke qenë se importi e mbyt eksportin, bujqësia është ‘fajtorja’ kryesore për deficitin tregtar të vendit.
Në shqyrtimin e Kordikut thuhet se Kosova bën shpenzime më të mëdha për bujqësinë.
Me një mesatare prej 0.84 për qind, vendi ynë shpenzon ndjeshëm më shumë sesa mesatarja e BE-së (0.36 për qind) apo vendet fqinje, si Shqipëria (0.19 për qind), Bosnja (0.27 për qind), Mali i Zi (0.29 për qind), Serbia (0.36 për qind) dhe Maqedonia e Veriut (0.56 për qind).
“Politika bujqësore e Kosovës ka nevojë për një ndërrim paradigme për të arritur objektiva strategjikë të SARD 2022-2028. Arkitektura e tanishme e subvencioneve nuk përputhet me Marrëveshjen për Bujqësinë të WTO-së nuk kontribuon në shndrrime strukturore”, përfundon ky shqyrtim.
Profili i bujqësisë kosovare: pak tokë e shumë import
Rreth 52 për qind e hapësirës së Kosovës, që i bie një sipëraqe prej 577 mijë hektarësh, mund të përdoret për bujqësi.
Brenda saj, 31 për qind është e përbërë prej kullosash, kurse pjesa e mbetur, 69 për qind, si tokë pune.
Në vitin 2020, totali i përdorur si tokë bujqësore qe 420,210 hektarë.
Shënjuesi kryesor i profilit bujqësor të Kosovës, sipas çdo analize, është copëzimi (fragmentarizimi) i tokës bujqësore.
Më 2020, Kosova kishte 186,289 ferma, ku shumica ishin të vogla me një mesatare prej 3.2 hektarësh.
Këto dy rrethana janë vështirësitë kryesore për rritjen e prodhimtarisë bujqësore dhe ndërfutjen e teknologjive të avancuara.
Një nga importet kryesore, gati në nivel varësie, ka qenë ai i grurit.
Të dhënat doganore flasin se prej 1 janarit 2022 deri më 30 qershor 2023, Kosova ka importuar 150 mijë tonë grurë, me një çmim prej mbi 48 milionë eurosh.
Krahas kësaj, për të njëjtën periudhë, Kosova importoi me të madhe edhe miell gruri në vlerë prej 10 milionë eurosh. /Nacionale