Shukri Buja kandidat i PDK-së për kryetar të Lipjanit i cili është dënuar me një vit burgim për rastin e veteranëve, ka thënë se vendimi është i pabazë dhe politik.
Ai në Facebook ka thënë se as ky vendim nuk do ta ndal rrugëtimin e tij politik.
“Tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik, përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është i dështuar që në nisje. Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani. Unë kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, një shtet për të cilin kam sakrifikuar rininë time në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim së bashku me bashkëluftëtarët, kam ndihmuar në ndërtimin e institucioneve, si dhe kam shërbyer me përkushtim e përgjegjësi në komunën tonë. Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore.Dua t’ju njoftoj se rrugëtimin tim politik për të udhëhequr Komunën e Lipjanit do ta vazhdoj me vendosmëri, sepse ligji nuk e ndalon kandidimin tim. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë dhe për këtë arsye unë do të vazhdoj betejën ligjore deri në fund.U përballa me drejtësinë serbe, me drejtësinë ndërkombëtare dhe me sfida të shumta brenda institucioneve të shtetit tonë për më shumë se dy dekada dhe nga të gjitha dola i pastër dhe fitimtar. Kjo e fundit? Një betejë e vogël, qesharake dhe e motivuar politikisht, dhe si e tillë do të përfundojë atje ku u takon vendimeve të padrejta: në shportën e mbeturinave historike”, ka shkruar ai.
Gjykata Themelore të hënën ka shpallur fajtor Shukri Bujën dhe nëntë të tjerë për rastin e veteranëve të luftës së UÇK-së ku secilin nga ta e ka dënuar me nga një vit burgim.