Bugajski: Serbia synon të krijojë përshtypjen për shtet të dështuar të Kosovës

Beogradi është duke e intensifikuar fushatën e tij diplomatike kundër Prishtinës.

Gjatë kësaj vere, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq është përpjekur të krijojë një realitet alternativë, që do ta favorizonte Serbinë në lidhje me të ardhmen e Kosovës.

Ofensiva e Daçiqit ka tre elementë themelorë: statusin e Kosovës, reagimin e Amerikës dhe qasjen e Evropës. Mbi të gjitha, Daçiq është i vendosur në përkufizimin e Kosovës si një shtet i dështuar, njohja e të cilit duhet të merret mbrapsht. Mbrojtësit e Serbisë së Madhe, si Daçiq, refuzojnë ta pranojnë realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe vazhdojnë të vënë në dyshim statusin e saj përfundimtar, edhe pse as Uashingtoni dhe as Brukseli nuk janë duke rishikuar të qenit shtet të Kosovës.

Në përpjekje për të vërtetuar pikëpamjen e tij, Daçiq ka paralajmëruar një projekt të Shqipërisë së Madhe, në të cilin Tirana dhe Prishtina janë bashkëpunëtore në konspiracion. Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kosovës për të ndarë disa ambasada dhe për të koordinuar politikat e tyre të jashtme është një praktikë standarde e shumë shteteve evropiane. Por sipas logjikës së Daçiçit, meqë Kosova ka dështuar si shtet, ajo do të përpiqet të bashkohet me Shqipërinë dhe kështu të destabilizojë Ballkanin.

Një deklaratë e dytë e rremë e Daçiqit është se SHBA ka vendosur të rihapë çështjen e statusit të Kosovës dhe kinse do të favorizojë Serbinë në bisedimet e ardhshme midis Beogradit dhe Prishtinës. Daçiç e shpalli takimin e tij me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Bolton, në Uashington në korrik si një zhvillim të rëndësishëm për Beogradin. Sipas tij, Bolton e informoi atë se një zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin kishte përparësi për Shtëpinë e Bardhë. Padyshim që SHBA kërkon normalizim dypalësh, por jo ndonjë kthim mbrapa të statusit të Kosovës.

Daçiq gjithashtu pretendoi se Bolton do të vizitonte rajonin në gusht ose në shtator për të lançuar një iniciativë të re, nga e cila interesat serbe do përfitonin. Qeverisë(serbe) iu desh të tërhiqej nga këto pretendime. Megjithëse Bolton ka deklaruar publikisht se Uashingtoni nuk e përjashton shkëmbimin territorial, kjo nuk duhet të interpretohet si një lëshim, i planifikuar dhe i njëanshëm nga Prishtina për Beogradin.

Që nga zgjedhja e Donald Trump në nëntor të 2016-ës, Daçiq ka deklaruar se administrata e re nuk e mbështet më Kosovën dhe kjo i jep mundësi të rëndësishme diplomacisë serbe. Shumë ngjashëm si Moska, Beogradi është përpjekur të vendosë demokratët kundër republikanëve në Shtetet e Bashkuara. Daçiq pretendon se zyrtarët e Trump-it e konsiderojnë ish presidentin Bill Clinton dhe ish sekretaren e shtetit Madeleine Albright si “vampirë”, politikat e të cilave duhet të ndryshohen.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, gjithashtu, ka pohuar se Serbia duhet të përfshihet më shumë në politikën e brendshme të SHBA-së duke nxitur diasporën e saj të mësojë nga grupe të tjera të suksesshme të emigrantëve, veçanërisht grekët dhe armenët. Daçiq ka thënë se Beogradi do të nxiste amerikanët me origjinë serbe që të votojnë për Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ndërsa pretendonte se shumica e tyre, tashmë, e mbështesnin Trump-in.

Manovra e tretë diplomatike e Daçq është qasja gjoja e ndryshuar e Bashkimit Europian ndaj mosmarrëveshjes Serbi-Kosovë. Emërimi i Ministrit të Jashtëm të Spanjës, Josep Borrell, si Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë i ka rritur pritshmëritë e Beogradit. Borrell është një socialist katalanas, i cili e kundërshton me forcë shkëputjen e Katalonjës nga Spanja. Ministria e Jashtme e Serbisë duket se beson se ai do të bëjë presion për mosnjohjen e Kosovës në BE, në përputhje me pozicionimin zyrtar të Madridit.

Shefi i politikës së jashtme të Evropës, i emëruar për pesë vjet, është anëtar i Komisionit Europian dhe i Këshillit Europian, i cili, duke kryesuar mbledhjet e ministrave të jashtëm dhe duke marrë pjesë në samitet e krerëve të shteteve ose qeverive, do të ketë një ndikim në politikë. Sidoqoftë, ai nuk mund të ndjekë automatikisht pozicionin e qeverisë së tij ose ai do të dënohej nga shumica e qeverive të BE-së që e kanë njohur Kosovën.

Si shenjë e zhgënjimit(të tij) me BE, së fundi, Daçiç sulmoi kryeministrin bullgar Boyko Borissov për komentet se Borrell duhet të respektojë qëndrimin e BE-së për Kosovën dhe jo atë të Madridit. Do të ishte e vështirë për Borrellin të bllokonte bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës ose të favorizonte Beogradin, pa përjashtuar Gjermaninë, Francën dhe shtetet e tjera që kanë investuar për shumë vite në të qënit shtet të Kosovës. Për më tepër, kritika e hapur e Borrellit ndaj administratës Trump, gjithashtu, do të ulë ndikimin e tij në procesin e bisedimeve.

Daçiç po ndjek dy qëllime kryesore. Së pari, ai dëshiron të krijojë përshtypjen e suksesit për Beogradin në prag të rifillimit të bisedimeve me Prishtinën. Dhe së dyti, ai është i vendosur të dobësojë pozicionin e Kosovës duke përhapur idenë për një mbështetje në rënie nga Uashingtoni dhe Brukseli. Sidoqoftë, propaganda e suksesit, kur nuk korrespondon me realitetin, ka vetëm një ndikim të kufizuar/ Dita/.