Brutaliteti i çiftit presidencial me gazetarët dhe mediat: Sulme të rënda ndër vite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me bashkëshortin e saj, Zotëriun e Parë, Prindon Sadriu, janë kthyer në dy prej figurave që tash e sa vjet, përdorin gjuhë të rëndë ndaj gazetarëve e mediave.

Varësisht se kur kanë raportuar mediat për tema të interesit publik, e kjo nuk iu pëlqente Osmanit e Sadriut, gazetarët ktheheshin në shënjestër.

Pas raportimit se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sa ishte deputete, kishte marrë kompensim për derivate, kinse për rrugën nga Mitrovica, kishte pasur reagim të ashpër nga burri i saj, ‘snajperisti’ Prindon Sadriu. Ky i fundit i kishte quajtur disa media “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, term që përdoret sot nga Gjykata Speciale e Hagës.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, shkruante Sadriu.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qepues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”, përfundonte ai.

E me kalimin e kohës, ‘bajrakun’ e mori presidentja Vjosa Osmani.

Pasi Nacionale raportoi për një vrasje të ndodhur në Gjilan, e cila dyshohej se kishte ndodhur për shkaqe të hakmarrjes për një rast të dyshuar të dhunimit, Nacionale kishte raportuar se në dijeni kishte qenë edhe Vjosa Osmani dhe burri i saj. Kjo duke publikuar edhe ‘screnshots’ nga bisedat.

Kjo bëri që presidentja Osmani të eskalojë me gjuhën e përdorur ndaj gazetës Nacionale dhe Berat Buzhalës.

“Kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi”, ka shkruar presidentja.

“Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë”.

Gjuha e njëjtë u përdorë edhe mbrëmë. Osmani aludoi se qytetarët do të shokoheshin nëse e marrin vesh se me çka merren disa gazetarë, duke përdorur AKI-në.

“Por asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë. Asnjëherë nuk kanë shkruar për plot politikanë të tjerë, e në veçanti për gazetarët e shumtë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private, brenda e jashtë vendit”, ka thënë Osmani.

Mbrëmë, sulmin e vazhdoi Prindon Sadriu, duke përmendur me emra disa gazetarë.

“Fletërrufetë e buzhalistëve, kajtazistëve e mehmetajve nuk janë kritikë, janë cirk i urrejtjes.Postimet e mbushura me shpifje dhe frikë nuk janë lajme e opinione — janë udhëzime dhe nxitje për dhune edhe ndaj fëmijëve të vegjël. Në të kaluarën jo shumë të largët ato kanë prodhuar pasoja shumë të rënda ndaj viktimave të këtyre fletrrufeve.”, tha ai.

Kulmi erdhi ditën e sotme, kur Osmani pretendoi se disa gazetarë kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin në një grushtshtet.

“E para nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqiat. Kur hetohen Radoiçiqiat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore, që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë plane për grushtshtet, rrezikime të ndryshme që i bëhen Kosovës. Pastaj kanë dalur shumë prova. Institucionet e sigurisë po vazhdojnë hetimet. E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi”, tha Osmani.

Për të gjitha këto raste, ka qenë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që ka dënuar gjuhën. Madje, gjuha e përdorur ishte evidentuar edhe në raporte ndërkombëtare.