Manchester United ka shumë punë përpara, pasi përfundoi një nga sezonet më të dobëta në historinë e vet. Të fokusuar për t’u përgatitur sa më mirë për sezonin e ardhshëm, “Djajtë e Kuq” mbyllën të dielën turneun përgatitor në SHBA me barazim ndaj Evertonit.
“Mercedes-Benz Stadium” në Atlanta priti ndeshjen e tretë dhe të fundit të “Premier League Summer Series”, një turne ku morën pjesë gjithashtu Bournemouth dhe West Ham, dhe që më parë kishte ndaluar në Nju Jork e Çikago.
Manchester United e nisi këtë turne në SHBA me fitoren 2-1 ndaj West Ham, më pas mposhti 4-1 Bournemouth dhe barazoi 2-2 me Evertonin, duke e fituar trofeun përkatës.
Bruno Fernandes shënoi me penallti dhe Mason Mount shtoi një tjetër për skuadrën e drejtuar nga Ruben Amorim, ndërsa golat e Evertonit u shënuan nga Iliman Ndiaye dhe një autogol nga Ayden Heaven. Megjithatë, ky stopim ringjalli alarmin te skuadra e Manchesterit.
Kapiteni Bruno Fernandes nuk i kurseu fjalët e ashpra ndaj shokëve të skuadrës: “Nuk donim ta përfundonim kështu. Performanca jonë nuk ishte më e mira, ndaj Evertonit ishim të plogësht. Duam ta shmangim këtë, sepse përtacia ndëshkohet”.
Manchester United nuk mund të përballojë më një sezon tjetër turpërues. Në edicionin e kaluar, “Djajtë e Kuq” zhvilluan një kampionat për t’u harruar, duke e përfunduar në vendin e 15-të dhe pa asnjë shans për ta synuar zonën europiane.
Për ta rikthyer skuadrën në nivelet më të larta, klubi po lëviz fuqishëm në merkato me investime të rëndësishme. Deri tani kanë mbërritur Bryan Mbeumo (75 milionë €), Matheus Cunha (74 milionë €) dhe Diego León (4 milionë €), ndërsa priten edhe afrime të tjera në ditët në vijim.
The post Bruno Fernandes nuk përmbahet: Përtacia ndëshkohet, shpresoj të vijnë përforcime appeared first on Telesport.










