Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar sot broshurën me kandidatë për zgjedhje, me propozimin e anëtarit të Nismës Socialdemokrate në KQZ, Eshref Vishi që të hiqen numrat rendorë dhe zbrazëtirat në këto lista zgjedhore.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga dy anëtarët e KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, ku pati përplasje verbale ndërmjet kryetares Valdete Daka dhe anëtarit Sami Kurteshi.
Kurteshi tha se qëllimi i ri-radhitjes së listave është emri i Albin Kurtit, dhe theksoi se nuk do ta pranojnë këtë vendim.
“U përmend këtu pengesa për mërgatën, ne e dimë kush ka vendosur pengesa për mërgatën. Por është në pyetje emri i Albin Kurtit, jo veç që e përjashtojnë atje, por nuk dëshirojnë të ketë as numër. Kot e keni! 14 shkurti do të vijë dhe do ta tregojë këtë. Kjo është çështje politike prej Hënës e deri në Tokë. Dua të them se kjo çështje me listën e Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Vishi ka përfunduar. Ju po e ngrini me qëllim dhe ne e dimë se cili është qëllimi. Edhe ai qëllim nuk do të arrihet. Unë po ju them se kjo listë e Vetëvendosjes do të shkojë kështu. Nëse ju dëshironi ta ndryshoni këtë listë, ne nuk e pranojmë këtë vendim”, tha Kurteshi.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se duhet të procedohet broshura, me votua ose jo.
“Ne duhet proceduar të votojmë ose mos ta votojmë. Unë nuk kam tjetër mundësi përveç ta hedh në votim broshurën ashtu siç është e propozuar”, tha Daka.
Anëtarët e KQZ-së nga Vetëvendosja Alim Halimi dhe Sami Kurteshi kanë bojkotuar mbledhjen derisa u hodh në votim broshura me kandidatë.