Britania ua heq sanksionet dhe ua zhbllokon asetet Bankës Qendrore të Sirisë e 23 entiteteve tjera siriane

Britania të enjten largoi 24 entitete siriane nga lista e sanksioneve dhe ua zhbllokoi asetet e ngrira, përfshirë Bankën Qendrore të Sirisë, banka të tjera e kompani të karburanteve.

Perëndimi është duke e rimenduar qasjen ndaj Sirisë, pasi forcat kryengritëse të udhëhequra nga grupi Hayat Tahrir al-Sham e rrëzuan presidentin Bashar al-Asssad në dhjetor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Muajin e kaluar, vendet e Bashkimit Evropian pezulluan një varg sanksionesh ndaj Sirisë.

Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar nuk dha hollësi të mëtejme rreth heqjes së sanksioneve dhe nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Një zyrtar qeveritar sirian për marrëdhënie me media gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, transmeton nacionale.

Më herët të enjten, agjencia “Reuters” raportoi se një dërgesë e re me para të gatshme të valutës siriane ka arritur në Damask nga Rusia, ku janë shtypur ato bankënota.