Në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Neil Holland, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të formojnë sa më parë qeverinë e re, duke e cilësuar këtë si urgjente.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për tensionet në katër komunat veriore dhe për mbylljet e pakoordinuara të institucioneve që ofrojnë shërbime për komunitetet joshumicë.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OSBE, Neil Holland, mirëpriti Gerard McGurk si Shef i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë paraqitjes së raportit të tij të parë në Këshillin e Përhershëm.
Në deklaratën e tij, Ambasadori Holland falënderoi për prezantimin dhe raportin gjithëpërfshirës të Misionit dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për punën e tij në një kontekst të vështirë politik dhe të sigurisë.
Ai mirëpriti mbajtjen paqësore dhe konkurruese të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë në shkurt, si dhe rolin mbështetës të OSBE-së ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu, nënvizoi nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.
“Mbretëria e Bashkuar mirëpret zgjedhjet parlamentare paqësore dhe konkurruese të mbajtura në Kosovë në shkurt, dhe mbështetjen e rëndësishme që Misioni i ofroi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne vazhdojmë t’u nënvizojmë bashkëbiseduesve në Kosovë urgjencën e formimit të qeverisë”, tha Holland, theksohet në një njoftim në web-faqen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Ambasadori britanik shprehu shqetësimin për nivelin e tensioneve në katër komunat veriore dhe për mbylljet e pakoordinuara të institucioneve që ofrojnë shërbime për komunitetet joshumicë. Ai theksoi rëndësinë që Qeveria e Kosovës të sigurojë pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë të këtyre komuniteteve dhe të përmbushë angazhimet si shtet multietnik dhe gjithëpërfshirës.
Mbretëria e Bashkuar kërkoi drejtësi për aktet e dhunës dhe bëri thirrje që Serbia të bashkëpunojë në hetimin e sulmeve ndaj KFOR-it dhe incidentit në Ibër-Lepenc.
“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me përpjekjet për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmet e vitit 2023 ndaj trupave të KFOR-it dhe në Banjska, dhe të përmbushë premtimin e saj për të bashkëpunuar në hetimin e sulmit në Kanalin Ibër-Lepenc”, tha Holland, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e përmbushjes së angazhimeve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas Ambasadorit Holland, moszbatimi i marrëveshjeve ndikon negativisht në jetën e qytetarëve dhe stabilitetin rajonal.
Në fjalën e tij, Ambasadori britanik vlerësoi përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, por shprehu shqetësim për ndikimin politik në media dhe sigurinë e gazetarëve, duke mbështetur aktivitetet e OSBE-së në këtë fushë.
Holland riafirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran dhe theksoi përkushtimin për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë angazhimin e të Dërguarës së Posaçme Dame Karen Pierce dhe organizimin e Samitit të Procesit të Berlinit në Londër këtë vjeshtë.