Brestovci propagandon me foto të vjetra, komentuesit e “gozhdojnë”

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Ai i ka akuzuar asamblistët e opozitës dhe Kryeshefin Ekzekutiv të ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Recica, për përkeqësimin e gjendjes me mbeturinat në kryeqytet që nga 1 janari i këtij viti.

Sipas Brestovcit, problemi ka ardhur si pasojë e ndryshimeve në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të propozuara nga asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si dhe keqmenaxhimit të ndërmarrjes “Pastrimi” nga kryeshefi i saj.

Ai ka theksuar se këto ndryshime kanë ndikuar negativisht në procesin e grumbullimit të mbeturinave, duke çuar në shtim të ndotjes në qytet.

Megjithatë, postimi i tij ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale.

Disa e kanë akuzuar Brestovcin se po manipulon me fotografi të vjetra për të krijuar perceptim të gabuar mbi situatën. Për ta mbështetur këtë pretendim, ata kanë publikuar foto që, sipas tyre, dëshmojnë një realitet ndryshe nga ai që po paraqet Drejtori i Shërbimeve Publike.

 

Në lidhje me këtë çështje, më 3 shkurt 2025, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një konference të jashtëzakonshme shpalli gjendje emergjente për krizën e mbeturinave në kryeqytet.

Ai njoftoi se komuna do të shqyrtojë të gjitha opsionet ligjore për të përfshirë sektorin privat në mbështetje të kompanisë “Pastrimi” për të përmirësuar situatën dhe për të siguruar një menaxhim më efikas të mbeturinave në Prishtinë.

Megjithatë, duket që e gjithë kjo zhurmë nga Komuna e Prishtinës po bëhet për t’i hapur rrugë tenderit milionësh të shpallur prej saj.