Brestovci për parkingjet: S’do të ketë bllokada, vetëm gjoba nga Inspektorati

Bekim Brestovci, drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se nuk planifikojnë ndryshore të Rregullores së Prishtina Parkingut, por vetëm dorëzim të kompetencave te Inspektorati për shqiptimin e gjobave për parkingjet.

Në një përgjigje për KOHËN, Brestovci ka thënë se tash gjobat do t’i shqiptojë Inspektorati. Sipas tij, më nuk do të ketë bllokada, por vetëm gjoba.

“Në Kuvend Komunal do të duhej të kalonte ndonjë modifikim i rregullores… ne nuk po e ndryshojmë rregulloren, ne vetëm po i dorëzojmë kompetencat të cilat në asnjë formë nuk i ka vu në pikëpyetje as Gjykata Supreme, të cilat i ka Inspektorati për shqiptim të gjobave për të gjithë ata që parkohen në trotuare, për të gjithë ata që parkohen në hapësira gjelbëruese, për të gjithë ata që parkohen në vende të ndaluara për parking si dhe të gjithë ata që parkohen në vende të dedikuara për parking por që nuk e kryejnë shërbimin e pagesës apo për ata të cilëve u skadon koha e pagesës…Nuk do të ketë bllokada vetëm gjoba”, ka thënë ai.

Gjykata Supreme në maj i pati shfuqizuar disa dispozita të Rregullores mbi të cilën funksiononte ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, duke konstatuar se ajo ka ushtruar kompetenca në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Ishin cilësuar të jashtëligjshme edhe bllokimi i automjeteve e edhe ndëshkimi i pronarëve. E të martën, Komuna dhe kryetari Përparim Rama njoftuan se nga nesër do të nisë së zbatuari Rregullorja për rregullimin e parkingjeve në kryeqytet, pa ofruar detaje të tjera. Ndërkaq Grupi për Studime Juridike dhe Politike, që pati deponuar padinë për rastin, ka thënë se funksionimi i plotë i menaxhimit të parkingjeve publike s’mund të bëhet pa ndryshim të rregullores konform aktgjykimit të Supremes.