Policia e Kosovës njofton se përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz (DHTNj), gjatë periudhës gusht – tetor 2025 ka realizuar disa plane operative që kanë rezultuar me arrestimin e 52 personave të dyshuar, përfshirë shtetas kosovarë dhe të huaj, për kundërvajtjen “Marrje me Prostitucion”.
Operacionet janë zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Pejës. Si rezultat, janë inicuar 26 raste të cilat janë referuar tek gjykatat kompetente. Ndaj të dyshuarve janë shqiptuar gjoba, ndërsa shtetasve të huaj u është caktuar urdhër dëbimi dhe ndalesë hyrje për tre vite.
“Pas trajtimit të informacioneve dhe veprimeve hetimore dhe operative, DHTNj ka zhvilluar pesë plane operative në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajit dhe Pejës, me ç’ rast janë arrestuar 52 persona (femra dhe meshkuj) në mesin e tyre shtetasë kosovarë dhe shtetasë të huaj, të dyshuar për kundërvajten “Marrje me Prostitucion”. Si rrjedhojë e këtyre planeve operative, Policia e Kosovës ka iniciuar gjithësej 26 raste të cilat janë referuar tek gjykatat kompetente, për trajtim sipas procedurave”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar për parandalimin, hetimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve që bien ndesh me ligjet e vendit.