Gleison Bremer përjeton një gëzim të madh. Pas bujës për përjashtimin e Neymar, mbrojtësi i Juventusit u thirr nga Carlo Ancelotti për ndeshjet miqësore të Brazilit kundër Francës dhe Kroacisë. Kjo është një thirrje jashtëzakonisht e rëndësishme për qendërmbrojtësin e bardhezinjve, duke qenë se bëhet fjalë për testin e fundit të kombëtareve para Botërorit. Pas pothuajse dy vitesh mungesë për shkak të lëndimeve, Bremer rikthehet te “Seleçao”.
Ai rrëfeu për “Savoir Sport”: “Jam jashtëzakonisht i lumtur që rikthehem te kombëtarja braziliane pothuajse dy vite pas herës së fundit. Kam kaluar momente shumë të vështira, një dëmtim serioz në gju dhe më pas një ndërhyrje tjetër te menisku, por shpresa për t’u rikthyer dhe luftuar për një vend në Botëror gjithmonë ka qëndruar aty. Brazili ka qenë gjithmonë një nga objektivat më të mëdhenj, edhe kur rikuperimi dukej larg. Janë bërë shumë hapa të vegjël që ndërtuan këtë rrugëtim. Do ta nderoj këtë fanellë, më të madhen në botë, me gjithë forcën, përkushtimin dhe pasionin tim. Faleminderit, Brazil!”
Entuziazmi duket edhe në Instagram, ku ai publikoi një video që tregon thirrjen e Ancelottit, periudhën e vështirë të lëndimeve dhe rikuperimin deri në kthimin në fushë. Ai shtoi: “Një udhëtim. Një objektiv. Faleminderit, Zotit! Faleminderit, Brazil!” Ndër thirrjet e Ancelottit janë edhe dy ish-lojtarë të Juves, Alex Sandro dhe Danilo.
The post Bremer “përqafon” Brazilin pas dy vitesh. Mbrojtësi i Juves: Lumturi e madhe! Kalova kohë të vështira, por… appeared first on Telesport.










