Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Gleison Bremer iu përgjigj me buzëqeshje pyetjes nëse Neymar mund të bënte një “last dance” te Juventusi, ashtu siç është përfolur për Modric te Milani apo De Bruyne te Napoli: “Sigurisht. Do të ishte bukur ta kishim dikë si Ney këtu te Juve”.
…Kanë kaluar mbi 300 ditë nga dëmtimi që e mbajti Bremer jashtë fushave për thuajse të gjithë sezonin. Braziliani është rikthyer në Gjermani, në Herzogenaurach, rreth 300 kilometra larg nga Leipzigu, aty ku pësoi këputjen e ligamentit të kryqëzuar në sfidën e Ligës së Kampioneve kundër gjermanëve. Ajo ishte një nga fitoret më të rëndësishme për Juventusin e Thiago Motta, por pati një kosto shumë të lartë, humbjen e liderit të mbrojtjes.
“Nga jashtë e pashë që mungonin liderët, pas kaq shumë ndryshimesh dhe me dëmtimin tim humbëm edhe më shumë siguri, – shprehet Bremer nga grumbullimi në Gjermani për Juventusin e sezonit të kaluar. – Ishin momente të vështira, por skuadra u rrit, këto përvoja të bëjnë më të fortë”.
Duke iu kthyer ngjarjes së dhimbshme të më shumë se 10 muajve më parë, ai analizon periudhën më të errët: “Më e keqja ishte në fillim, kur kirurgu më tha se do të duhej të qëndroja jashtë fushave për 9 muaj, jo 6 ose 7 muaj siç ndodh zakonisht me këputjen e ligamentit. I imi nuk ishte një dëmtim i zakonshëm, por tani ndihem mirë dhe shoh përpara. Do të rikthehem në nivelin maksimal. Kur qëndron jashtë për kaq muaj, fillon t’i shohësh gjërat ndryshe, jo vetëm si futbollist. Bremer i ri do të jetë më agresiv dhe gjithmonë 100% në fushë”.
Bremer “i ri” është rikthyer në fushë në miqësoren ndaj Reggiana: “Përjetova një ndjesi fantastike pas kaq shumë muajsh pune dhe sakrifice, u ndjeva mirë. Sigurisht që më mungon ende diçka fizikisht, por jam në rrugën e duhur. Në përplasjet e para ndjeva pak frikë, por besoj se është normale, pastaj gjithçka nisi të vinte natyrshëm. Kur nuk mendon shumë, gjërat shkojnë më mirë. Tani objektivi im është të luaj tri miqësoret e radhës për të arritur formën optimale”.
The post Bremer bën “shkesin” e Neymar: Do të ishte bukur ta kishim këtu te Juventusi… appeared first on Telesport.