Frikë në Brazil për gjendjen fizike të Neymar. Koordinatori i departamentit mjekësor të Santos FC, Rodrigo Zogaib, konfirmoi se sulmuesi ka pësuar një edemë në pulpën e këmbës së djathtë, por siguroi se dëmtimi nuk rrezikon pjesëmarrjen e tij në Botërorin 2026: “Neymar ka një dëmtim të vogël në pulpë, një edemë. Sipas planifikimit tonë, rikuperimi i tij do ta lejojë të jetë gati javën e ardhshme, kur t’i bashkohet kombëtares”.
Lajmi vjen vetëm dy ditë pasi trajneri Carlo Ancelotti e përfshiu Neymar në listën e 26 lojtarëve të grumbulluar me Brazilin për Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Thirrja e tij ka surprizuar opinionin publik, pasi Ancelotti kishte deklaruar më parë se do të ftonte vetëm lojtarë në 100% të formës.
Edema prej 2 milimetrash u diagnostikua pas humbjes 3-0 të Santos ndaj Coritiba dhe do ta mbajë Neymarin jashtë fushës për 5 deri në 10 ditë. Për këtë arsye ai mungoi edhe në barazimin 2-2 ndaj San Lorenzo në “Copa Sudamericana”.
Megjithatë, Santos nuk e përjashton mundësinë që Neymar të luajë kundër Deportivo Cuenca javën e ardhshme, një ditë para grumbullimit me Brazilin. Sipas mediave braziliane, stafi mjekësor i kombëtares po e monitoron nga afër rikuperimin e yllit brazilian.
The post Brazili në alarm…, Santos konfirmon dëmtimin e ri të Neymar. A pritet të jetë gati për Botërorin 2026? appeared first on Telesport.









