Të mërkurën në mëngjes, Murat Yakin shpalli listën e lojtarëve për ndeshjet përfundimtare kualifikuese të Botërorit 2026. Adrian Bajrami ka shanse të mira të jetë sërish pjesë e saj. Mbrojtësi i Luzernit debutoi me Zvicrën në tetor, në Slloveni. Pas hyrjes në lojë për pak minuta, u vlerësua nga idhulli i tij, Granit Xhaka, si “njeriu i së ardhmes”.

“Vërtet nuk pata kohë të bëhem nervoz”, – thotë Bajrami duke kujtuar minutat e tij të para me kombëtaren helvete, ndërsa e takojmë për intervistë në Luzernë. Në Ljubljanë, pas dëmtimit të Ricardo Rodriguez, gjithçka ndodhi shumë shpejt: “Kur po prisja në vijën anësore për t’u futur, mora frymë thellë dhe i thashë vetes: Tani hyj dhe luaj lojën tënde”.

Në Lisbonë forcoi karakterin
Përshtatjen e shpejtë në ambiente të reja, Bajrami, me origjinë nga Oberaargau, e mësoi herët në jetë. Në moshën 16-vjeçare, ai la pas zonën e tij të rehatisë në Langenthal dhe si i ri i Young Boys u transferua në akademinë e Benfikës në Lisbonë për të dëshmuar cilësitë.
“Atje më duhej të bëhesha i pavarur shumë herët, të mësoja të përballesha vetëm me gjithçka dhe të piqesha si njeri. Ajo periudhë e formësoi fort karakterin tim”, – kujton qendërmbrojtësi. Tek klubi i madh portugez nuk arriti të depërtonte plotësisht në ekipin e parë, por në stërvitje mësoi shumë nga yje si Ángel Di María apo Nicolás Otamendi dhe, siç thotë vetë, mësoi portugalishten në kohë rekord.

Lidhje e fortë me familjen
Verën e kaluar, Bajrami la Lisbonën për të kaluar te Luzerni. Përveç aspektit sportiv, arsye të rëndësishme për këtë hap ishin edhe ato familjare: “Pas stërvitjes kthehem në shtëpi dhe jam me prindërit e mi, me vëllezërit e motrat. Këtë kënaqësi nuk e kisha pasur për 7 vite”.
Djali i prindërve shqiptarë ruan një lidhje shumë të afërt me ta: “Ata e kanë ndërtuar gjithçka nga e para këtu. Jam jashtëzakonisht krenar për ta, madje më krenar për prindërit e mi sesa për veten time”.
Kur mori rrogën e tij të parë, madje ua kishte ofruar prindërve paratë në dispozicion. “Ata janë shumë kokëfortë për këto gjëra, nuk do të pranonin kurrë para nga unë”, – tregon debutuesi i kombëtares helvete duke qeshur.

Në pritje të duelit me Kosovën
Pas ndeshjes me Suedinë, Zvicra do të udhëtojë në Prishtinë për ndeshjen e fundit të fushatës kualifikuese. Edhe pse rrënjët e Bajramit janë nga Struga e Maqedonisë së Veriut, për ish-lojtarin e kombëtares së Shqipërisë kjo sfidë kundër Kosovës ka një domethënie të veçantë: “Sigurisht që ekzistojnë lidhje. Është një ndeshje e veçantë, që të jep kënaqësi ta luash”.
Përpara se të zgjidhte Zvicrën, Bajrami kishte luajtur tri miqësore me kombëtaren shqiptare. Ai ndjen ende lidhje me të dyja vendet. “Ndihem njëkohësisht zviceran dhe shqiptar, – thotë me krenari për origjinën e tij. – Jam rritur në mënyrë shqiptare, me traditat, gjuhën dhe kulturën. Njëkohësisht, kam lindur dhe jam rritur në Zvicër, ky është vendi im. Jam krenar që përfaqësoj këtë vend”.
Marrë nga media zvicerane “20min.ch”
The post Braktisi kuqezinjtë për Zvicrën, rrëfehet Bajrami: Më krenar jam për prindërit e mi sesa për veten appeared first on Telesport.











