BQK dhe BQE nënshkruajnë marrëveshje për luftimin e falsifikimit të euros

Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka Qendrore Evropiane kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e mekanizmave kundër falsifikimit të kartëmonedhave euro.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e mekanizmave kundër falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke e vendosur Kosovën më pranë standardeve të Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Marrëveshja u nënshkrua nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe presidentja e BQE-së, Christine Lagarde. Sipas njoftimit zyrtar, ky hap shënon një moment të rëndësishëm në integrimin e BQK-së në rrjetin profesional të Eurosistemit dhe partnerëve ndërkombëtarë përmes Sistemit të Monitorimit të Falsifikimeve të BQE-së (CMS).

“Përmes kësaj marrëveshjeje, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së të dizajnuar për të parandaluar dhe luftuar falsifikimin e kartëmonedhave euro”, thuhet në komunikatën e institucionit kosovar, ku theksohet se bashkëpunimi do të përfshijë edhe shkëmbimin e informacionit teknik dhe ndërtimin e kapaciteteve vendore.

Ky projekt është zhvilluar me mbështetjen e Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe institucioneve relevante të Kosovës në kuadër të TAIEX-it të BE-së, duke synuar krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit dhe të Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Falsifikimeve.

BQK vlerësoi rolin e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të BQE-së, dhe riafirmoi përkushtimin për modernizimin e përpunimit të parasë, rritjen e vetëdijes publike dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit të plotë në praktikat e përbashkëta të BE-së.