Botërori për Klube / Çerekfinalet mbyllen sot me superndeshjet PSG-Bayern dhe Real-Dortmund

Botërori për Klube 2025 po i afrohet fazës vendimtare. Sot do të përmbyllet një raund me zhvillimin e dy çerekfinaleve të fundit, që do të kompletojnë tabelën e gjysmëfinaleve. PSG, në një sezon që po shkëlqen, do të përballet me Bayern Munich e Harry Kane në një sfidë që ka shijen e netëve të mëdha të Champions League.

Edhe çerekfinalja tjetër është përballje klasike e futbollit europian; Real Madrid-Borussia Dortmund. Verdhezinjtë gjermanë do të jenë pa Jobe Bellingham, i pezulluar. Pra, nuk do të ketë përballje vëllezërish Bellingham në fushën e blertë. Pas suksesit dramatik të Chelsea ndaj Palmeiras dhe rrugëtimit magjik të Fluminense, që eliminoi Al-Hilalin e Simone Inzaghit, sot do të vendosen emrat e dy gjysmëfinalistëve të tjerë.

Ora 18:00 / PSG-Bayern Munich
Një klasike e futbollit europian, që premton spektakël. PSG ka treguar formë të jashtëzakonshme këtë sezon, duke dhënë leksione futbolli edhe ndaj Inter Miami të Messit e Suarezit. Luis Enrique pritet të konfirmojë formacionin e tij më të fortë, 4-3-3, me Donnarumma në portë, Hakimi dhe Nuno Mendes në krahët e mbrojtjes, ndërsa qendra do t’i besohet Marquinhos dhe Pacho. Në mesfushë Vitinha do të jetë “dirigjenti”, me Fabian Ruiz dhe Joao Neves përkrah. Sulmi do të përbëhet nga Kvaratskhelia, Désiré Doué dhe Dembélé.

Bayern i Kompany ka më shumë pikëpyetje, sidomos pas humbjes ndaj Benfica, që e vendosi në këtë rrugë të vështirë. Formacioni pritet të jetë me Olise, Musiala dhe Gnabry pas shpinës së Harry Kane, ndërsa Kimmich e Goretzka do të mbrojnë prapavijën. Stanisic në të majtë, me Tah e Upamecano në qendër të prapavijës.

Ora 22:00 / Real Madrid-Borussia Dortmund
Një tjetër ndeshje me aromë finaleje të Champions-it. Megjithatë, dueli mes vëllezërve Bellingham nuk do të ndodhë. Jobe mungon për shkak të pezullimit, ndërsa Jude do të jetë ylli i “Los Blancos”.

Xabi Alonso, i cili i njeh mirë gjermanët pas dy sezonesh përballë tyre si trajner i Leverkusen, pritet ta rreshtojë Realin me një mbrojtje treshe: Rüdiger, Tchouaméni dhe Huijsen. Alexander-Arnold dhe Garcia do të mbulojnë krahët, ndërsa në mesfushë do të jenë Bellingham, Valverde dhe Arda Güler, që do të lidhet me dyshen sulmuese Vinicius-Mbappé.

Dortmundi i Kovac pritet të vendoset me një formacion të ngjashëm, me Adeyemi dhe Guirassy në sulm. Në mesfushë do të jenë Sabitzer, Nmecha dhe Gross, ndërsa krahët do të mbulohen nga Svensson e Ryerson. Mbrojtja do të përbëhet nga Süle, Anton dhe Bensebaini.

The post Botërori për Klube / Çerekfinalet mbyllen sot me superndeshjet PSG-Bayern dhe Real-Dortmund appeared first on Telesport.