Botërori 2030 me 64 ekipe? Mbahet samit në selinë amerikane të FIFA-s, kundërshtojnë fort UEFA dhe CONCACAF

FIFA po diskuton mundësinë që Botërori i vitit 2030, edicioni i 100-vjetorit, të zgjerohet në 64 ekipe. Sipas “The Athletic”, të martën u zhvillua samit në New York me pjesëmarrjen e presidentit Infantino dhe sekretarit Grafstrom. Delegacionin e Amerikës së Jugut e kryesonte presidenti i Conmebol, Alejandro Domínguez, së bashku me presidentët e Paraguajit e Uruguajit, si dhe drejtues të federatave të Argjentinës, Paraguajit e Uruguajit.

Ideja u hodh fillimisht në mars nga kreu i federatës uruguajane, Ignacio Alonso, por ky ishte diskutimi i parë konkret. Sipas federatave të Amerikës së Jugut, zgjerimi do të ishte një rast i vetëm për të nderuar 100-vjetorin e Botërorit të parë në Uruguaj më 1930, dhe për të përfshirë më shumë Argjentinën, Paraguajin dhe Uruguajin, që aktualisht pritet të kenë vetëm një ndeshje inauguruese secili, para se turneu të zhvendoset në Spanjë, Portugali dhe Marok.

UEFA dhe CONCACAF kanë shprehur kundërshti. Aleksander Ceferin e quajti idenë “të tmerrshme”, ndërsa Victor Montagliani theksoi: “Nuk është ide e mirë, ende nuk kemi luajtur as Botërorin me 48 skuadra”.

The post Botërori 2030 me 64 ekipe? Mbahet samit në selinë amerikane të FIFA-s, kundërshtojnë fort UEFA dhe CONCACAF appeared first on Telesport.