Botërori 2026 dhe alarmi i Trump, reagon FIFA: Siguria është prioriteti ynë maksimal

FIFA shpreson që 16 qytetet e përcaktuara për Botërorin 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada të jenë “plotësisht të gatshme” për të pritur ndeshjet dhe përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme. Një zëdhënës i FIFA-s e tha këtë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte përmendur mundësinë e zhvendosjes së disa ndeshjeve për arsye sigurie nga qytete tashmë të caktuara si Bostoni dhe Los Angeles.

“Shpresojmë që secili nga 16 qytetet e përzgjedhura të jetë gati dhe të plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara. Siguria është prioriteti maksimal në çdo aktivitet të FIFA-s, por ajo mbetet përgjegjësi e qeverive përkatëse”, – theksoi zëdhënësi.

SHBA do të presin pjesën më të madhe të ndeshjeve të turneut, që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe do të ketë 48 skuadra pjesëmarrëse. Nga 16 qytetet pritëse, 11 ndodhen në SHBA. Trump deklaroi se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dakord me mundësinë e zhvendosjes së ndeshjeve në lokacione të tjera në rast problemesh sigurie në qytetet amerikane, të parashikuara për t’i pritur ato.

 

 

The post Botërori 2026 dhe alarmi i Trump, reagon FIFA: Siguria është prioriteti ynë maksimal appeared first on Telesport.