Bota arabe i thotë Hamasit të lëshojë armët dhe t’i japë fund sundimit të Gazës

Shtete të botës arabe i kanë bërë thirrje Hamasit të lërë armët dhe të dorëzojë sundimin e tij në Gaza.

Në një veprim të paprecedentë, vendet arabe, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Egjiptin, u bashkuan me thirrjet që grupi terrorist palestinez të shpërbëhet në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës që ka shkatërruar territorin.

Shtatëmbëdhjetë vende, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Ligën Arabe, mbështetën një tekst shtatëfaqësh të dakordësuar në një konferencë të Kombeve të Bashkuara mbi ringjalljen e zgjidhjes me dy shtete për Izraelin dhe palestinezët.

“Në kontekstin e përfundimit të luftës në Gaza, Hamasi duhet t’i japë fund sundimit të tij në Gaza dhe t’ia dorëzojë armët Autoritetit Palestinez, me angazhim dhe mbështetje ndërkombëtare, në përputhje me objektivin e një Shteti Palestinez sovran dhe të pavarur”, thuhej në deklaratë, raporton “Telegraph”, transmeton Klankosova.tv.

Ajo pasoi një thirrje të hënën nga delegacioni palestinez në OKB që Izraeli dhe Hamasi të largohen nga Gaza, duke i lejuar Autoritetit Palestinez të administrojë territorin bregdetar.

Teksti gjithashtu dënoi sulmet vdekjeprurëse të Hamasit kundër Izraelit të 7 tetorit 2023, të cilat nisën luftën.

Franca, e cila bashkëkryesoi konferencën me Arabinë Saudite, e quajti deklaratën “historike dhe të paprecedentë”.

“Për herë të parë, vendet arabe dhe ato në Lindjen e Mesme dënojnë Hamasin, dënojnë 7 tetorin, bëjnë thirrje për çarmatimin e Hamasit, bëjnë thirrje për përjashtimin e tij nga qeverisja palestineze dhe shprehin qartë qëllimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin në të ardhmen”, tha Jean-Noel Barrot, ministri i jashtëm i Francës.

Teksti, i bashkënënshkruar nga Franca, Britania dhe Kanadaja, ndër të tjera vende perëndimore, bëri thirrje gjithashtu për vendosjen e mundshme të forcave të huaja për të stabilizuar Gazën pas përfundimit të armiqësive.

“Ne mbështetëm vendosjen e një misioni të përkohshëm ndërkombëtar stabilizimi me ftesë të Autoritetit Palestinez dhe nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara dhe në përputhje me parimet e OKB-së, duke u bazuar në kapacitetet ekzistuese të OKB-së, që do të mandatohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me mbështetje të përshtatshme rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhej në deklaratë.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë në takim.

Më parë këtë muaj, burime të Hamasit i thanë medias saudite se grupi do të shqyrtonte dorëzimin e armëve si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin.

Kjo vjen pasi Sir Keir Starmer tha të martën se Britania do ta njihte Palestinën si shtet nëse Izraeli nuk përmbush një sërë kushtesh, duke përfshirë përfundimin e situatës “të tmerrshme” në Gaza.

Ky veprim vjen pas Emmanuel Macronit, i cili njoftoi javën e kaluar se Franca do ta njihte shtetësinë palestineze.

Për dekada të tëra, shumica e anëtarëve të OKB-së kanë mbështetur një zgjidhje me dy shtete, ku Izraeli dhe një shtet palestinez ekzistojnë krah për krah.

Por pas më shumë se 21 muajsh lufte në Gaza, zgjerimit të vazhdueshëm të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe zyrtarëve izraelitë që deklarojnë plane për të aneksuar territorin e pushtuar, ekziston frika se një shtet palestinez mund të bëhet gjeografikisht i pamundur.