Bosi i heroinës gju më gju me Albin Kurtin

Bosi i heroinës i kapur dje në aksionin e Prokurorisë Speciale, Shemsi Bahtiri, është përjashtuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje pas raportimeve të njëpasnjëshme në media për afërsinë e tij me partinë në pushtet.

Edhe pse zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka kishte deklaruar dje se Bahtiri nuk kishte ndonjë funksion në parti, Vetëvendosja ka ndryshuar sot qëndrim.

Sipas një komunikate, Komisioni Displinor i kësaj partie ka marrë vendim për përjashtimin e Bahtirit deri në zbardhjen e të gjitha të dhënave.

Fillimisht Vetëvendosja ishte munduar të qëndrojë në heshtje, por faktet e njëpasnjëshme për lidhjen e bosit të heroinës me këtë parti nuk i lanë të qetë.

Pas raportimeve e fakteve të paraqitura dje, Paparaci ka siguruar edhe një fotografi tjetër ekskluzive të bosit të heroinës, Shemsi Bahtiri me tashmë deputetin e betuar Albin Kurtin, që tash e dy mandate mbante postin e kryeministrit.

Në fotografinë e siguruar nga Paparaci, shihet Bahtiri e Kurti në një takim, që supozohet se ka ndodhur në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Bahtiri ishte pjesë e paandashme e takimeve, tubimeve, e organizimeve të ndryshme nëpër vite nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo dëshmohet lehtë nga të gjitha fotografitë e publikuara në mediat sociale nga anëtarë të ndryshëm të Lëvizjes.

I arrestuari në aksionin e Prokurorisë Speciale, Bahtiri ishte pjesë e Degës Medrese të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Ai është arrestuar dje nën dyshimet për trafikimin me narkotikë.

Sipas burimeve, Bahtiri dyshohet të jetë njëri prej kryesorëve të grupit kriminal prej 22 anëtarëve që u kap dje pas një aksioni të suksesshëm të Policisë, Prokurorisë e INTERPOL-it.

Ndërkaq, sipas kërkesës për paraburgim nga Prokuroria Speciale thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se 22 të pandehurit, në periudhën kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më datën 03.06.2025, në Kosovë dhe shtete të tjera, kanë blerë e shitur droga të llojeve të ndryshme me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare për vete.