Borxhi publik i Kosovës ka kaluar vlerën prej 1.1 miliard euro. Nga kjo vlerë, më shumë se 721 milionë euro llogaritet borxh i brendshëm, kurse 409 milionë euro është borxh ndërkombëtar. Pjesa më e madhe e borxhit është ndaj Bankës Ndërkombëtare për Ndërtim dhe Zhvillim (BNRZH) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ndër vite, borxhi publik në Kosovë ka shënuar rritje. Në vitin 2014, vlera e borxhit të përgjithshëm ka qenë 582 milionë euro, kurse tri vjet pas, në vitin 2017, kjo vlerë kishte arritur në 996 milionë euro. Vitin e kaluar, borxhi tejkaloi 1 miliard euro, kurse në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vlera e borxhit të përgjithshëm arriti në shumën prej 1 miliard e 131 milionë euro.
Ekspertë të çështjeve ekonomike, theksojnë se vlera e borxhit aktual vazhdon të jetë e ulët krahasuar me përqindjen e Bruto Produktit Vendor, por me tendecë të shpejtë të rritjes.
Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se autoritetet kompetente kohëve të fundit po hynë në borxhe pa menaxhuar në mënyrë efikase projektet.
“Kosova viteve të fundit ka filluar një aventurë më të madhe me ngufatjen e borxheve të jashtme dhe kjo siç duket nuk është e shoqëruar me menaxhimin efikas të borxheve, në identifikimin e projekteve që kanë normën e rikthimit më të lartë në mënyrë që Kosova të përballojë servisimin e kthimit të borxheve dhe jo të bie në situatë kur për këtë duhet të preken të hyrat buxhetore të shtetit”, tha Sadiku.
Ndërkaq, Naim Gashi, po ashtu ekspertë i çështjeve ekonomike, thotë se Kosova ka nevojë për borxhe të huaja, por dyshon në përdorimin e duhur të këtyre mjeteve. Sipas tij, borxhi duhet të stimulojë rritjen ekonomike dhe jo të përdoret pa u kalkuluar si duhet.
“Unë mendoj se Kosova ka nevojë për marrjen e borxheve të jashtme, por në projekte që gjenerojnë zhvillim afatgjatë ekonomik, siç mund të jenë projektet në fushën e energjisë, të cilat ulin varfërinë në Kosovë nga importi dhe rrisin eksportin. Mandej projekte në aktivizimin e minierave metalurgjisë, në fushën e teknologjisë së informacionit, ku Kosova ka kapacitete të mëdha”, tha Gashi.
Banka Botërore në Kosovë, para disa muajve ka paralajmëruar Qeverinë se borxhi publik në Kosovë deri në vitin 2025, mund të arrijë vlerën deri e 30 për qind të Bruto Produktit Vendor, nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave.
Borxhi i Përgjithshëm përkufizohet si “tërësia e borxhit shtetëror dhe borxhit komunal që merren në emër të institucioneve qendrore qeveritare të cilin Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë”.
Borxhi i brendshëm është borxh shtetëror i cili i nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës. Ndërsa borxhi ndërkombëtar, është borxh shtetëror i cili i nënshtrohet marrëveshjes me qeveritë e huaja, agjencitë qeveritare, organizatat ndërkombëtare financiare apo organizata dhe kompani tjera të huaja në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Naim Gashi, thotë se para vendosjes për marrjen e borxhit, duhen përzgjedhur investimet kapitale, duke kalkuluar përfitimet, benefitet që i sjellin komunitetit.
“Asnjë shtet në botë nuk është zhvilluar pa marrë borxhe të jashtme. Mirëpo, asnjë shtet në botë nuk është zhvilluar duke marrë borxhe të jashtme në mënyrë paushall. Nëse borxhi i jashtëm merret për zhvillimin afatgjatë, qoftë ekonomik apo shoqërore, atëherë efektet janë pozitive. Nëse borxhet merren paushall për projekte të dyshimta, atëherë do të jetë një barrë shtesë për gjeneratat e reja që duhet të paguajnë një kosto financiare të cilën e shkaktojnë qeveritë dhe udhëheqësit aktualisht”, tha Gashi.
Kreditë të cilat janë kontraktuar nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2018 i përkasinsektorit të infrastrukturës rrugore prej 65 për qind, sektorit të infrastrukturës ujore 18 për qind dhe sektorit publik me 17 për qind. Projektet të cilat financohen përmes borxhit ndërkombëtar janë projekte të cilat fillimisht aprovohen nga Komiteti për Investime Nacionale dhe janë pjesë e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe Buxhetit Vjetor.
Në Ligjin për borxhet publike në Kosovë thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Por, sipas të dhënave të zyrtare të Ministrisë së Financave, në prill të këtij viti Bruto Produkti Vendor në Kosovë ka arritur në 7.1 milion euro./REL