Borxhet ndaj “Pastrimi” Sh.A. kalojnë tek përmbaruesit privatë

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A. njofton të gjithë konsumatorët, amvisëri, biznese dhe institucione publike, se nga data e sotme, 22.10.2025, do të fillojë procedurat përmbarimore ndaj debitorëve që kanë detyrime të papaguara për shërbimet e mbledhjes dhe transportit të mbeturinave.

Ky veprim vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të kompanisë për të realizuar arkëtimin vullnetar të borxheve përmes njoftimeve, paralajmërimeve dhe marrëveshjeve të riprogramimit, të cilat në shumë raste nuk janë respektuar nga konsumatorët.

Mospagesa e faturave ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare të kompanisë dhe në cilësinë e shërbimeve publike që ajo ofron çdo ditë në kryeqytet dhe komunat e tjera të mbuluara nga “Pastrimi”.
Në këtë drejtim, kompania është e detyruar të zbatojë të gjitha mjetet ligjore për arkëtimin e të hyrave, përfshirë edhe procedurat përmbarimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ftojmë të gjithë konsumatorët që ende nuk kanë shlyer obligimet e tyre financiare, ta bëjnë këtë në mënyrë të menjëhershme për të shmangur procedurat përmbarimore dhe kostot shtesë që ato mund të sjellin. Pagesat mund të realizohen në sportelet e kompanisë, në institucionet financiare, si dhe përmes platformave elektronike të pagesave.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A. mbetet e përkushtuar në ofrimin e një shërbimi efikas, transparent dhe në përputhje me standardet ligjore dhe mjedisore, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për një mjedis më të pastër dhe një shërbim të qëndrueshëm publik.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A. /Demokracia.com/