Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pret që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen para fundit të vitit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke folur pas një diskutimi të ministrave të Jashtëm të BE-së për situatën në Ballkanin Perëndimor, Borrell tha se ftesa e tij për liderët e Kosovës dhe të Serbisë shkon në këtë drejtim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 19 korrik, por pa arritur përparim në ndonjërën prej çështjeve kontestuese.
Borrell tha se pret nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Ndërkaq, të martën, në Bruksel pritet të zhvillohet një takim i ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve dhe sipas burimeve, temat e diskutimeve lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme.
Gjatë diskutimit të ministrave për Ballkanin Perëndimor, sipas Borrellit, fokusi ka qenë në situatën në Bosnje e Hercegovinë, të cilën ai e cilësoi si serioze.
Udhëheqësi i serbëve në Bosnje, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Borrell tha se “Bashkimi Evropian ka qëndrim të qartë për një Bosnje e Hercegovinë unike” dhe se mbështet “integritetin e saj territorial, si një shtet sovran dhe i pandashëm”.
Ai tha se situata në këtë shtet është rënduar, për shkak të obstruksionit që bëjnë disa politikanë, sidomos me “idetë secesioniste”, që, sipas tij, vënë në dyshim integritetin territorial të këtij shteti.
Edhe pse zgjerimi i BE-së nuk ishte temë e diskutimeve në takimin e ministrave, Borrell tha se pret që para fundit të këtij viti të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Nisja e këtyre negociatave është me rëndësi për rajonin, por edhe për kredibilitetin e Bashkimit Evropian”, tha Borrell.
Para takimit, Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, tha se raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk janë vetëm rreth zgjerimit, por kanë të bëjnë edhe me përshtatjen e politikës së tyre të jashtme me atë të BE-së.