Bordi i Paqes ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e trupave të Forca e Sigurisë së Kosovës në Gazë, duke e mirëpritur këtë angazhim.
Në një postim në rrjetin social X, Bordi i Paqes theksoi mbështetjen për vendimin e institucioneve të Kosovës.
“Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë”, thuhet në reagim.
Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.
“Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe e vendos republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë vazhdimisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar”, tha ai.









