“Bombë” në Beograd, Macron Vuçiqit: Kosova dhe Serbia janë shtete të pavarura – gjejeni zgjidhjen bashkë

E pyetur nga një gazetare në lidhje me atë se si e sheh marrëveshjen e kompromisit me Kosovën, “përpos që ajo të mos jetë e pavarur”, Macroni tha se s’mund të përsërisim historinë e para 20 vjetëve por duhet të ecim përpara.

“Presidenti juaj ka guxim të thotë se ‘ajo që ekziston në kushtetutën tonë, nuk pranohet nga partnerët tanë. Këtë nuk e pranojnë partnerët tanë evropianë, ndërsa ne duam të hyjmë në Evropë’”.

“Nuk kam përgjigje konkrete për ju. Nuk ka zgjidhje magjike. Askush s’e ka zgjidhjen në xhep. Zgjidhja është tek ju”, ka thënë Macroni, raporton Koha.net, duke shtuar se “marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është shumë e rëndësishme për sigurinë e rajonit”.

Kurse Vuçiqi tha: “Për Francën, Kosova është e pavarur, por jo për Serbinë. E di se për serbët kjo deklaratë vështirë pranohet, por duhet ta kuptojmë këtë. Nuk jam këtu të flas keq diçka për shqiptarët apo për këdo tjetër. Jam këtu për paqe”.

18:36
Macron: Do të organizoj një takim mes Kosovës e Serbisë, bashkë me Merkelin
“E kam lutur presidentin francez që të na ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas bisedës që zhvilloi me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, duke shtuar se ky ka qenë një prej takimeve më të gjata që ka zhvilluar deri më tani me liderë botërorë.

“Kam thënë të vërtetën dhe e kam lutur që Franca të na ndihmojë në rrugën evropiane dhe në zgjidhjen e krizës së Kosovës”, ka thënë Vuçiqi, duke kujtuar se biseda me të ishte e hapur dhe e sinqertë, raporton B92.

Kurse Macroni tha se do të organizojë një takim mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Ishim shumë të sinqertë në takim. Unë do të organizoj një takim me ju, me kryeministren serbe, me udhëheqësinë e Kosovës dhe me kancelaren Merkel. Franca dëshiron që të arrihet marrëveshja. Serbia dhe Kosova janë shtete evropiane dhe dëshirojmë kjo të kthehet në realitet”, ka deklaruar Macroni.

17:49
Macroni thotë se “është tepër” pse asnjë president francez s’e ka vizituar Serbinë në 18 vjet
Image
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, arriti sot për një vizitë dyditore në Beograd, e para kjo e një presidenti francez pas 18 vjetësh.

Ai me këtë rast është takuar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa me të zbritur në aeroportin e Beogradit, Macroni citohet të ketë thënë se fakti pse asnjë president francez s’e ka vizituar Serbinë në 18 vjet “është tepër”.

“Bashkëpunimi me vendin tuaj është shumë i rëndësishëm. 18 vjet asnjë president francez nuk ka ardhur, që është tepër. Do të flasim për të kaluarën, por edhe për të ardhmen”, tha Macroni, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”.

Ai citohet të ketë thënë po ashtu se ky vit është me rëndësi sepse shënon 180 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por ka porositur se këtë vit shënohet edhe 100 vjetori i përfundimit të Luftës së Madhe, “kur popujt tanë luftuan së bashku për liri”, transmeton Koha.net.

Macroni në Beograd po ruhet nga 4000 pjesëtarë të forcave policore dhe masat e sigurisë janë në nivelin më të lartë.

Më herët u paralajmërua se gjatë kësaj vizite do të nënshkruhen tetë marrëveshje ekonomike.