,

Bogujevci për deklaratën e O’Brien: E padrejtë të na thuhet se nuk sillemi si shtet demokratik

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci ka folur rreh deklaratës së mbrëmshme të ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Ky i fundit ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Bogujevci thotë se ajo personalisht e kupton shqetësimin e tyre në raport me rrethanat në rajon.

“Por mendoj që duhet ti kuptojmë disa gjëra në relacion me vendimmarrjet që merren në Kosovë. Nuk ndërlidhet çështja e dinarit në raport me serbët në Kosovë. E kemi thënë që ka të bëj me çështjen e rregullimin e pjesës së veriut të vendit. Nuk mund të tolerojmë të kemi grupe të organizuara kriminale”, ka thënë ajo.

Madje ajo thotë se ka mbetur e habitur që reagime si për vendimin për dinarin, nuk pati dhe për sulmin terrorist që u krye shatorin e vitit të kaluar në Banjskë.

“Është në fakt e çuditshme se si nuk ka pasur reagime të fuqishme edhe për atë se çka ndodhi shtatorin e vitit të kaluar. Do të duhej të kuptoj se çfarë po bën Serbia në vazhdimësi”.

Në raport me vendimin për dinarin, Bogujevci thotë se Kosova ka vepruar si shtet i pavarur.

“Ne jemi shtet i pavarur dhe nëse kërkohet që të sillemi si të tillë natyrisht që është e nevojshme që të ndërmerren hapa të tillë”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës thotë se të gjithë duhet ta shohin rëndësinë e vendimmarrjeve në Kosovë, sidomos në veri kur situata ka qenë pezull sepse situata është lënë e tillë për një kohë.

“Për neve është e rëndësishme raporti me miqtë tanë dhe partnerët ndërkombëtar, por të njëjtën kohë është krijuar një kulturë që është ndërtuar për një kohë të gjatë në Kosovë që duhet jo vetëm të koordinohemi por edhe të pyesim për çdo aspekt të vendimmarrjes. Mendoj që ne si shtet duhet të ecim përpara dhe është e padrejtë që të thuhet se ne nuk sillemi si një shtet demokratik”.

Bogujevci thotë se Qeveria e Kosovës ka pasur kontakt me ndërkombëtarët për vendimin e BQK-së dhe sqaron se asnjëri nuk ka qenë kundër këtij vendimi por shqetësimi ka qenë tek pjesa e periudhës së tranzicionit. /A2cnn

Related Posts