Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në korrik të vitit të kaluar, kishte nënshkruar një kontratë në vlerë prej 194,575.00 euro për renovim dhe riorganizim të bodrumit të ndërtesës së saj, shkruan Demokracia.com.
Por edhe ky investim, që mund të mbulonte koston për ndërtimin e tri shtëpive të vogla, nuk ka mjaftuar.
Sikur të kishim të bënim me ndonjë tunel apo ndonjë bunkier ushtarak, ndoshta do kuptohej këtë pasaktësi projektimi. Por, në fakt është një bodrum. Dhe sërish, Ministria nuk ka arritur ta planifikojë saktë. Prandaj, prokurimi i MPJD-së ka lidhur një kontratë të re të negociuar më kompaninë “Lurn”, për të përfunduar atë që nuk u përfundua me kontratën fillestare.
Vlera e kësaj kontrate të dytë është 19,390.00 euro, që për fat (ose për llogari shumë të kujdesshme) përbën pikërisht 9.96% të shumës së kontratës së parë. Ministria është kujdesur që të mos e kalojnë kufirin e 10%, që është tavani ligjor për punë shtesë në kontrata publike.
Punët “e padukshme” shtesë janë përmbledhur në pesë pozicione më së shumti te “termoizolimi”, apo siç përshkruhet në dokument, “lyerja e murit me rërë”.
MPJD-ja i ka dërguar letër Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për të kërkuar miratimin e këtyre punëve shtesë, me arsyetimin se “janë paraqitur nevojat” që nuk ishin paraparë në kontratën e parë. Si gjithmonë, fajin e ka nevoja, jo planifikimi, jo kompetenca, e as përgjegjësia.
Demokracia.com kishte raportuar që në vitin e kaluar për këtë kontratë luksoze për bodrumin, e cila përfshinte edhe mobilimin dhe jo çfarëdo mobilimi, por të atij lloji që të bën të harrosh që je nëntokë. E gjithë kjo gëlltiti mbi 200 mijë euro. Sa për krahasim, me aq para mund të ndërtoheshin tri shtëpi të reja për familje në nevojë. Por jo, këtu zgjidhet problemi i bodrumit diplomatik. /Demokracia.com/
Lexo edhe:
Donika Gërvalla i fut “nëntokë” 200 mijë euro, renovon bodrumin e MPJD-së