Bllokohet sistemi i gjendjes civile në komunat e Kosovës, Asociacioni fajëson MPB-në

Situatë kaotike është krijuar në komunat e Kosovës pas bllokimit të gjendjes civile, duke krijuar vështirësi në nxjerrjen e dokumenteve për qytetarët në komunat e Kosovës.

Lidhur me këtë situate ka reaguar edhe Asociaiconit, I cili fajëson Ministrinë e Brendshme.

“Jemi në pikun e kërkesave të qytetarëve tanë, në një periudhë kur mërgata jonë po kthehet në atdhe dhe kur shumë nxënës kanë nevojë për dokumentacion për regjistrime. E megjithatë, institucionet qendrore kanë zgjedhur të heshtin, pa dhënë asnjë njoftim zyrtar, asnjë arsyetim, dhe mbi të gjitha asnjë përgjegjësi. Si Komuna të Kosovës, ndjejmë përgjegjësi të thellë ndaj qytetarëve tanë, të cilët me të drejtë janë të revoltuar dhe të zhgënjyer. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë kësaj papërgjegjësie institucionale, që po i cenon të drejtat më themelore të qytetarëve për qasje në shërbime administrative”, thuhet në reagim transmeton Klankosova.tv.

“I bëjmë thirrje publike Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil që të ndërmarrin masa urgjente për rikthimin e funksionimit të rrjetit, dhe njëherësh të dalin me shpjegim të qartë e zyrtar për gjendjen aktuale. Ky problem teknik ka bllokuar funksionalitetin e shërbimeve bazë, të cilat janë themelore për realizimin e mbi 90% të kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve ndaj institucioneve publike, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. Si rezultat, proceset administrative janë ndërprerë ose ngadalësuar ndjeshëm, duke sjellë pasoja serioze në ofrimin e shërbimeve dhe krijuar shqetësim të theksuar te qytetarët. Në këtë situatë të krijuar, ne si Komuna te Republikes tonë, jemi në krah të qytetarëve dhe do të vazhdojmë të kërkojmë me ngulm zgjidhje konkrete për këtë problem që po rëndon përditshmërinë e secilit prej jush”.