Sot në Serbi po zhvillohet një grevë e përgjithshme, e iniciuar nga studentët dhe gjimnazistët, me mbështetjen e sindikatave dhe shoqatave të ndryshme profesionale.
Kjo është greva e dytë e madhe këtë vit, pas asaj të mbajtur më 24 janar. Shumica e institucioneve do të bllokohen, e në qytetet më të mëdha të vendit që udhëhiqet nga regjimi i Aleksandër Vuciqit do të mbahet kjo grevë.
Aktivitetet në Novi Sad
Studentët në Universitetin e Novi Sadit planifikuan të mblidheshin në kampus në orën 10:00, pasuar nga një shëtitje proteste në orën 10:30. Në orën 11:52 para Teatrit Kombëtar Serb është planifikuar një nderim 15 minutësh për viktimat.
Më pas, shëtitja do të vazhdojë në ora 12:07, dhe pritet të përfundojë në orën 16:00.
Sindikatat e të punësuarve në institucionet publike në Novi Sad kanë ofruar mbështetjen e tyre, por nuk kanë konfirmuar se do t’i bashkohen protestës.
Aktivitetet në Beograd
Maturantët e disa shkollave të Beogradit, përfshirë Shkollën e Elektroteknikës Nikola Tesla, Shkollën e Mesme Matematikore, Gjimnazin e Parë, të Tretë dhe të Pestë, si dhe nga shkolla e mesme Sveti Sava, kanë paralajmëruar një tubim në Slavija në orën 15:30.
Shëtitja e protestës do të fillojë në orën 16:00, me rrugë të planifikuara për në Ministrinë e Arsimit, Gjykatën e Apelit, Qeverinë e Serbisë dhe Pallatin e Drejtësisë. Nga ora 17:30 deri në 17:45 do të mbahet 15 minuta heshtje, e ndjekur nga pesëmbëdhjetë minuta zhurmë. Fjalimet do të fillojnë në orën 18:00, ndërsa protesta është planifikuar të përfundojë në orën 19:00.
Disa grupe studentësh nga brendia planifikojnë të shkojnë në Beograd në këmbë, gjë që e kanë praktikuar tashmë gjatë protestave të mëparshme.
Aktivitetet në Nish
Një grup joformal studentësh nga Universiteti i Nishit po organizon një protestë në mbështetje të mësuesve nën titullin “Jo zbutje e tensioneve”.
Në deklaratën e studentëve organizatorë të protestave dhe bllokadave thuhet se tubimi do të bëhet në ora 11:30 para ndërtesës së Gjykatës Themelore, e më pas do të mbahet heshtje 15 minutëshe, duke filluar nga ora 11:52, për nderim të viktimave në Novi Sad.
Pas kësaj do të organizohet një shëtitje proteste deri te Drejtoria e Shkollës.
Studentët u bënë thirrje qytetarëve të Nishit që t’i bashkohen grevës së përgjithshme dhe të pezullojnë të gjitha aktivitetet.
Avokatët e Kragujevcit në grevë të përgjithshme
Oda e Avokatëve të Kragujevcit ka vendosur të ndërpresë punën për sot, duke iu bashkuar kështu thirrjes së studentëve për grevë të përgjithshme.
Gjatë pezullimit të punës, avokatët dhe anëtarët e Odës së Avokatëve të Kragujevcit nuk do të veprojnë para gjykatave dhe organeve të tjera shtetërore në Republikën e Serbisë, përveç në procedurat në të cilat merren vendime në atë ditë për caktimin e paraburgimit ndaj qytetarëve, në rastet e paraburgimit dhe në procedurat e zhvilluara kundër kryerësve të mitur të veprave penale, në procedurat e kryera për masat e përkohshme për veprën penale të dhunës në familje.
Thirrje për solidaritet dhe ndërprerje të punës
Organizatorët u bënë thirrje qytetarëve që të marrin një ditë pushimi ose pushim mjekësor, të mos punojnë me kolegët, të mos përdorin shërbimet e kafeneve, restoranteve, pikave të basteve, të mos bëjnë blerje në supermarkete, të mos vizitojnë kinema dhe teatro. Në vend të kësaj, ata sugjerojnë që qytetarët ta kalojnë ditën me familjen dhe miqtë.
Disa fakultete në Beograd dhe Novi Sad pritet të anulojnë leksionet për të lejuar studentët të marrin pjesë në protesta.
Sindikata e Arsimtarëve të Serbisë ka mbështetur kërkesat e studentëve, por nuk ka komentuar për ndërprerjen zyrtare të punës. Nga ana tjetër, sindikatat e pavarura të punëtorëve mjekësorë dhe punëtorëve në ndërmarrjet publike u shprehën solidaritet, por nuk njoftuan pjesëmarrje aktive.
“Ne mbështesim kërkesat e të rinjve, por besojmë se një grevë e përgjithshme e suksesshme kërkon një koordinim dhe unitet më të mirë midis sindikatave,” tha një përfaqësues i një prej sindikatave më të mëdha në Serbi.
Në grevë është edhe Biblioteka Kombëtare e Serbisë
Punonjësit e Bibliotekës Kombëtare të Serbisë janë në grevë të përgjithshme që nga 6 marsi Në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt, bordi ekzekutiv i Sindikatës së Bibliotekës Kombëtare të Serbisë vendosi fillimisht me shumicë votash të mbështesë vendimin e Bordit Republikan të Sindikatës së Pavarur të Kulturës nga 26 shkurti dhe të pezullojë punën e Bibliotekës Kombëtare të Serbisë.
Punonjësit aty, e kanë ndërprerë punën çdo ditë që nga data 28 shkurt, nga ora 13:00 deri në orën 14:00.
Megjithatë, sindikata ka vendosur gjithashtu të shkojë në një grevë të përgjithshme nga 6 marsi – deri në një njoftim të dytë. Kujtojmë se këtë javë ka hyrë në grevë edhe Orkestra e Filarmonisë së Beogradit, ndërsa nga sot e deri më 9 mars ka pezulluar punën edhe Orkestra e Teatrit Kombëtar.