Analisti politik Ilir Deda ka reaguar lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend, duke vënë theksin te nevoja për një qasje më bashkëpunuese dhe më të përgjegjshme në procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit.
Në një shkrim në profilin e tij në Facebook, Deda thekson se kur kërkohet marrëveshje politike për një pozitë të tillë, ajo nënkupton përfshirje konsensuale. Sipas tij, askush nuk e ka për borxh nënshtrimin ndaj diktatit.
“Kur kërkon marrëveshje politike për zgjedhjen e Kryekuvendarit, kjo nënkupton kandidat(e) konsensual, të pranueshëm edhe për subjektet politike prej të cilave kërkon votë. Ose nuk kërkon marrëveshje politike dhe bën propagandë. Askush nuk e ka për borxh nënshtrimin ndaj diktatit,” ka shkruar Deda.
Sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme nëse mungon fryma e bashkëpunimit dhe respektit reciprok në politikë.
“Nuk mundesh edhe me kërku ndihmë, edhe me imponu. Rezultatin e marrëveshjes politike nuk e din sepse nuk mvaret prej teje, por prej TË GJITHËVE. Dmth nuk mundesh as me i imponu zgjedhjet e parakohshme nëse tjerët – që janë shumicë – nuk duan,” ka shtuar ai.
Deda e cilëson situatën aktuale si një pikë reflektimi dhe këndelljeje për klasën politike, duke bërë thirrje për një ridefinim të plotë të qasjes ndaj kundërshtarëve politikë.
“Ky do duhej të ishte momenti këndellës që të kuptohet VLERA e bashkëpunimit, që do të thotë ridefinim të plotë të qasjes ndaj rivalëve politik,” përfundon ai.