“Bllokim procedural me bazë juridike”: Këta janë skenarët që mund ta përcjellin seancën e nesërme konstituive

Nesër në 10:00 deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë do të mblidhen për konstituimin e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka thënë ende se ka një emër për kryeparlamentar, të cilin kjo parti duhet ta propozojë nesër në këtë seancë.

 

Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim i ka përshkruar tre skenarë që sipas tij “mund ta përcjellin seancën e nesërme konstituive”.

Skaneri i parë, ai tha se është kur LVV-ja do ta propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Skenari i dytë, sipas tij, do të ishte në rast se LVV-ja kërkon “konsultime shtesë”. Në këtë rast, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, “duhet ta pezullojë seancën”.

Në skenarin e tretë, ai thotë se “meqë LVV nuk e ka shumicën parlamentare, situata bllokohet që në hapin e parë të rendit të ditës”.

Janë të paktën tre skenarë të mundshëm procedural e politik, që mund ta përcjellin seancën e nesërme konstituive (apo seancat pasuese):

 Skenari 1
Pas hapjes së seancës, verifikimit të mandateve dhe betimit të deputetëve, LVV si subjekti më i madh parlamentar propozon kandidatin për Kryetar të Kuvendit.
Nëse kandidatura merr së paku 61 vota (qoftë si rezultat i një marrëveshje formale për koalicion, apo përkrahje joformale nga opozita), atëherë vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarëve, dhe Kuvendi konstituohet plotësisht.

– Në këtë variant, Presidentja Osmani duhet menjëherë t’i dërgojë një letër zyrtare LVV-së, për t’i kërkuar propozimin për Kryeministër;

– Pas përgjigjes nga LVV me emrin e kandidatit (që pritet të jetë Albin Kurti), Presidentja nxjerr dekretin për nominimin e mandatarit;

– Mandatari ka detyrimin të propozojë Qeverinë e re dhe të sigurojë shumicën prej të paktën 61 votash brenda 15 ditëve nga dekreti.

 Skenari 2
Nëse pas përmbylljes së hapave të parë, LVV refuzon të propozojë kandidatin për Kryetar, ose kërkon “konsultime shtesë”, atëherë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet të pezullojë seancën.

– Por sipas Rregullores së Punës, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që nënkupton se një seancë e re duhet të thirret çdo dy ditë (të enjten, të shtunën, e kështu me radhë);

– Nëse LVV vazhdon të mos propozojë kandidat, do të kemi një seri seancash të papërfunduara, që vetëm nisin dhe pezullohen;

– Në një rrethanë të tillë, partitë opozitare do të mund të përdorin këtë ngërç, si bazë për të kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me pretendimin se partia fituese po zvarrit dhe bllokon formimin e institucioneve.

 Skenari 3
Në këtë skenar, meqë LVV nuk e ka shumicën parlamentare, situata bllokohet që në hapin e parë të rendit të ditës.

– Disa deputetë të LVV-së dhe të pakicave (përfshirë kryeministrin në detyrë dhe 15 ministra të tjerë) nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, siç kërkon neni 26 i Ligjit për Qeverinë;

– Opozita mund të refuzojë të votojë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve të atyre që janë ende në detyrë qeveritare;

– Pa miratimin e këtij raporti, nuk mund të ndodhë betimi i deputetëve, dhe Kuvendi nuk mund të kalojë në fazat e tjera;

– Ky është një bllokim procedural me bazë juridike, që vendos presion mbi anëtarët e kabinetit të dorëhiqen për të mundësuar konstituimin;

– Megjithatë, as ky skenar nuk i konvenon opozitës, pasi për pasojë nuk fillon konsumimi i afateve për përpjekjen e partisë fituese për të formuar institucionet.