Blerta Hoti është zgjedhur anëtare e Qeverisë Komunale dhe njëherësh nënkryetare e Komunës së Göteborg-ut dhe jo kryetare.
Një informacion që fillimisht është dhënë nga faqja e ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, ka pasur një shpërndarje të madhe, duke zënë vend ndër kryelajmet e pothuaj të gjitha medieve shqiptare në Kosovë e më gjerë.
Në një tekst fare të shkurtër, Pacolli njoftonte se Blerta Hoti, shqiptare me prejardhje nga Kosova, që jeton në Suedi, ishte zgjedhur kryetare e Komunës së Göteborg-ut, qytetit të dytë më të madh të Suedisë.
Por, me gjithë se suksesi i Blerta Hotit nuk kontestohet në asnjë mënyrë, e vërteta është pak më ndryshe. Por Blerta Hoti është zgjedhur anëtare e Qeverisë Komunale dhe njëherësh nënkryetare e Komunës së Göteborg-ut dhe jo kryetare.
Lajmin se është zgjedhur kryetare e ka përgënjeshtruar edhe vetë e përmendura, në një postim në fb.
Ndryshe, Blerta Hoti është politikane e Partisë Socialdemokrate dhe, ndonëse në moshë të re, ka pas vetes një karrierë në politikë. Ajo, në postin më të ri vjen nga posti i këshilltares politike në Ministrinë e Mbrojtjes të Suedisë.. Ndërsa para kësaj, nga viti 2015 ka qenë këshilltare politike në Parlamentin Evropian.