Këngëtarja e njohur shqiptare, Bleona Qereti, së fundmi ka qenë pjesë e një ceremonie solemne dhe mjaft të veçantë në Shqipëri.
Artistja ka prezantuar ceremoninë e ndarjes së titullit akademik Doctor Honoris Causa, e organizuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku ky vlerësim iu akordua Nicolas Berggruen dhe Olivier Berggruen.
Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së dekoratës ishin shumë personalitete, ndërsa në momentin e dhënies së titullit ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Vetë Bleona ndau disa momente nga kjo ngjarje në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një moment të veçantë që lidh trashëgiminë familjare me ndikimin global të familjes Berggruen.
“Një moment i jashtëzakonshëm ku nderohen @nicolasberggruen dhe @olivierberggruen me titullin akademik Doctor Honoris Causa nga universiteti që mban me krenari emrin e gjyshit të tyre, aktorit legjendar Alexander Moisiu. Një bashkim i fuqishëm mes trashëgimisë, vizionit dhe ndikimit global – një kujtesë e fuqisë së qëndrueshme të ideve që formësojnë botën tonë. Një legjendë që përmbyllet me rrethin e saj @berggrueninst”, ka shkruar Bleona në Facebook dhe Instagram.
Ceremonia pati një simbolikë të veçantë, pasi universiteti që mban emrin e aktorit legjendar Alexander Moisiu nderoi nipërit e tij me një nga titujt më të lartë akademikë, duke theksuar kështu lidhjen mes trashëgimisë kulturore dhe kontributit të tyre në arenën ndërkombëtare.










