Ish-pjesëtarë të njësitit famëkeq të ushtrisë serbe, “Beretat e Kuqe”, janë shfaqur të martën në kampin e ngritur para Presidencës së Serbisë, në mbështetje të grupit që kundërshton bllokimin e fakulteteve nga studentët protestues. Mes tyre është parë edhe ish-koloneli Goran Radosavljeviq – Guri, i cili lidhet me masakrën e Reçakut dhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Këtë e ka komentuar Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), i cili e ka cilësuar këtë si shembull të qartë se si Serbia toleron dhe promovon individët e akuzuar për krime lufte.
Ai ka paralajmëruar se prania e figurave të tilla në protesta mund të çojë në dhunë dhe destabilizim të situatës në Serbi.
“Ky është një shembull shkollor, se si një shtet dhe një shoqëri i toleron ata që kanë kryer krime lufte. Krimet kundër njerëzimit. Dhe pastaj janë promovuar, janë rritur me grada. Ky pasluftës në Kosovës, e ka marrë gradën e gjeneral-kolonelit dhe ka qenë komandant i xhandarmerisë serbe. Kur e ka kryer detyrën si ushtarak, është bërë edhe anëtar i lart i parisë së Vucicit. Tani ka mundësi të madhe të jetë faktor në trazirat që mund të ndodhin në Serbi. Është e papranueshme që një shtet ta tolerojë dikë që ka kryer krime. Mos ta gjykojë dhe mund t’i kthehet si një bumerang, si një faktor në atë se çka pritet të ndodhe të shtunën. Mund të ketë dhunë dhe sigurisht ky fare nuk heziton ta përdor dhunën”, ka thënë Blakaj në FIVE të Dukagjinit.
Radosavljeviq, i njohur si “Guri” ka qenë komandant i xhandarmërisë serbe dhe drejtues i operacionit në Reçak më 15 janar 1999, kur forcat serbe masakruan 45 civilë shqiptarë, shumica e të cilëve u ekzekutuan me plumba në kokë nga një distancë e afërt.
Pavarësisht akuzave dhe fakteve të dokumentuara, ai nuk është përballur asnjëherë me drejtësinë për krimet e luftës. Për më tepër, ai ka qenë anëtar i Bordit kryesor të Partisë Progresiste Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.
Ai lidhet gjithashtu me ekzekutimin e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë të vrarë në vitin 1999 në Serbi.