Blakaj: Nëse Serbia nuk i hap arkivat për personat e zhdukur, duhet të sanksionohet nga BE-ja

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë vlerëson se çështja për personat e zhdukur duhet të trajtohet vetëm si çështje humanitare mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo si çështje politike.

Blakaj, u shpreh se marrëveshja e vitit 2023 obligon të dyja palët që të hapin arkivat lidhur me informacionet për lokacione të mundshme të varrezave masive, por që dyshon se Serbia do ta bëjë këtë gjë, shkruan Dukagjini.

“Pika 3 e deklaratës së përbashkët nga maji i vitit 2023 parasheh dhe obligon të dy palët që të hapin arkivat dhe të bëjnë që qasshëm çdo dokument i cili mund të sjell informata mbi lokacionet e mundshme të varrezave masive respektivisht të ofrojë informacione mbi fatin e personave të zhdukur. Mendoj se kjo është pika më e rëndësishme e gjithë deklaratës së përbashkët – ka pasur kërkesa prej komisionit qeveritar për persona të zhdukur ndaj palës serbe që të bëhet e qasshme dosja e një brigade të caktuar të ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe asnjëherë s’kanë marrë përgjigje për këtë dhe gjasat që në të ardhmen të ndodh kështu”, u shpreh Blakaj.

Blakaj, mes tjerash, u shpreh se Bashkimi Evropian duhet ta obligojë Serbinë që t’i hapë arkivat dhe nëse nuk ndodhë kjo atëherë sipas tij duhet të sanksionohet.

“Dosjet e caktuar nëse obligohen t’i dorëzojnë – jo që mund të manipulohen por mund të largohen nga ato dosje dokumente të caktuara që mund të ofrojnë informacion mbi varreza të mundshme dhe motivi prapa kësaj është i kjartë sepse atëherë do të duhet të mirret përgjegjësi penale për feshjen e trupave, bartjen e trupave – dhe jam skeptik se kjo mund të ndodhë. Bashkimi Evropian e udhëheq këtë komision që është themeluar dje dhe aneksin e marrëveshjes gjithëpërfshirës parashihet që BE-ja mund të imponoj sanksione të ndryshme ndaj palëve që nuk e zbatojnë një pjesë të marrëveshjes dhe kjo deklaratë e përbashkët është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe mbetet të shihet nëse BE-ja do të përmbush mandatin e vet dhe të ndërmarrë sanksione ndaj palës që nuk e zbaton. Nuk di ndonjë instrument tjetër që mund ta obligojë Serbinë që t’i hapë arkivat”, u shpreh Blakaj.