Pas negociatave në Minsk, Bjellorusia liron të burgosur politikë në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Bjellorusia ka liruar 123 të burgosur, përfshirë aktivisten e njohur të opozitës Maria Kolesnikova, pas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për heqjen e sanksioneve.
Mes të liruarve ndodhet edhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Ales Bialiatski, një nga figurat më të spikatura të shoqërisë civile bjelloruse, i arrestuar pas goditjes së opozitës nga autoritetet në Minsk.
Lirimet erdhën pas bisedimeve të zhvilluara në Bjellorusi mes autoriteteve vendase dhe të dërguarit special të presidentit amerikan Donald Trump për Bjellorusinë, John Coale.
Në këmbim, SHBA ka rënë dakord të heqë sanksionet ndaj potasit, një përbërës kyç për prodhimin e plehrave kimike dhe një nga eksportet më të rëndësishme të Bjellorusisë.
“Ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve po normalizohen, gjithnjë e më shumë sanksione do të hiqen”, deklaroi Coale pas marrëveshjes.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, konsiderohet një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa Bashkimi Evropian vazhdon të mos e njohë atë si president legjitim, pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2020.
Maria Kolesnikova ndodhej në burg që prej vitit 2020, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të kohës në izolim.
Një grup prej të liruarve pritet të mbërrijë së shpejti në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë, ku një turmë njerëzish është mbledhur jashtë ambasadës amerikane në pritje të tyre.










