Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ende figuron si bashkëpronar në një biznes me mikun e tij, i cili u vra në Londër para 15 vitesh, shkruan Demokracia.com.
Në uebfaqen e Agjencisë së Regjistrit të Bizneseve (ARBK), kompania 4M Group Limited – Përfaqësia Prishtinë, Dega në Kosovë, vazhdon të figurojë si aktive.
Sipas të dhënave të kësaj faqeje, pronarët e biznesit janë Nezir Golaj me 20% të aksioneve dhe Përparim Rama me 80% të aksioneve.
Në deklarimin e pasurisë së Përparim Ramës për vitin 2024, nuk figuron asnjë biznes me emrin “4M Group Limited”, ndonëse i njëjti figuron si aktiv në ARBK. Megjithatë, ai ka biznese me emra të ngjashëm, si “4M shpk”.
Të njëjtin biznes, Rama dhe Golaj e kishin hapur në vitin 2004 edhe në Londër. Megjithatë, sipas të dhënave në faqen zyrtare të bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar (Gov.uk), kjo kompani është mbyllur më 15 gusht 2014, ndërsa emri i Golajt figuron si i larguar më 8 korrik 2010, ditën e vrasjes së tij. /Demokracia.com/