Biznesmeni Ekrem Peci që u përjashtua nga Trepça pasi merrte rrogë pa shkuar në punë, ka marrë grant prej 80 mijë eurosh nga kushëriri Faton Peci

Grantet për kushërinj, që janë shpërndarë ndër vite për kultura të ndryshme bujqësore, kapin shumën e 150 mijë eurove.

Shumë kushërinj të ministrit në detyrë të bujqësisë, Faton Peci, kishin marrë grante të shumta nga ministria që ai e drejton, siç vërtetohet në disa dokumente zyrtare të siguruara nga Gazeta Nacionale.

Grantet për kushërinj, që janë shpërndarë ndër vite për kultura të ndryshme bujqësore, kapin shumën e 150 mijë eurove.

Një ndër përfituesit e grantit është edhe biznesmeni Ekrem Peci, i njohur për publikun.

Ekrem Peci, në vitin 2022, kishte marrë një subvencion prej 80 mijë eurosh, në projektin e investimit me mekanizëm bujqësor në një pemishte të arrave me sipërfaqe prej rreth 4 hektarësh.

Ndërkaq, biznesmeni Ekrem Peci është mjaft i njohur për përfitime. Ai kishte marrë rrogë prej vitesh në Trepçë pa shkuar në punë, dhe vetëm në gusht të 2024 u largua nga puna.

“Ekrem Peci ka bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.27 i Rregullores për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A., ku sipas raportit me nr.prot:4153 të dt.26.07.2024 i njëjti nuk është paraqitur në punë që nga data 12.07.2024 deri me 23.07.2024 nuk ka respektuar pjesëmarrjen në orar dhe vend të punës, nuk është evidentuar në regjistrin e nënshkrimeve për hyrje-dalje të punonjësve në administratën e drejtorisë së njësisë Biznesore Metalurgjia e Zinkut”, thuhej në vendimin për shkarkim.

“Ndërsa në datën 16.07.2024, 17.07.2027, 18.07.2024, 22.07.2024 si dhe 23.07.2024 është konstatuar se në fillim të orarit të punës ka skenuar kartelën në hyrje dhe është kthyer mbrapa duke mos u paraqitur dhe qëndruar në orarin dhe vendin e punës, dhe i njëjti ka munguar par arsye dhe pa informuar dhe pa marrë leje nga Udhëheqësi i drejtpërdrejtë, e gjithë kjo duke u bazuar në nenin 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.27 të Rregullores Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A ku thotë se: “mungesa nga puna 3 ditë pa arsye ose 5 ditë brenda 12 muajve” është shkelje e rëndit të punës”, thuhej në dokumentin e komisionit disiplinor.

Kujtojmë se Ekrem Peci kishte qenë i përfshirë në një proces për marrjen në shfrytëzim të një prone milionëshe në Zveçan.