Biznesmeni Dedia: Kur po e ndërtoja urën e Ibrit, Faton Peci tentoi të na e ndalë punën për të bërë video për fushatë, as nuk na përshendeti (VIDEO)

Në Podcastin e kësaj jave “Përballje me Gazin” prodhim i Veriu.info dhe Veriu TV ka qenë i ftuar biznesmeni i njohur nga Mitrovica, Jahir Dedia, i cili mori mbi supe ndërtimin e dy urave në Mitrovicë, njëra tashmë e përfunduar dhe tjetra në ndërtim e sipër.

Ai ishte bërë i njohur jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por gjithandej trojeve shqiptare pas punës së madhe që po bën në ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër që lidhin dy pjesët e qytetit të Mitrovicës.

Biznesmeni Dedia ka zbuluar detaje ekskluzive në këtë intervistë, gjëra të pathëna më parë.

Ai ka rrëfyer një rast interesant me kandidatin për kryetar të komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili ka thënë se derisa ishin duke punuar urën për vetura Peci kishte shkuar atje të bëjë video për fushatë e madje as nuk i kishte përshëndetur.

Përveç kësaj Dedia ka rrëfyer se si njerëzit e tij i kërkuan ta ndalë punë me qëllim që Peci të realizonte video për fushatë.

“S’e kam cek kurrë por sot po e ceku, njerëzit e ligj sikur këta kqyrin me i përça popullin. Edhe këtë po e ceku pse. Se kur jam kanë unë tu ndërtu tek ura ka ardhë Faton Peci me një grup edhe me do truproja, edhe unë jam kanë me çizme deri këtu me rrip tu punu në ujë aty për me ndërtu urën, edhe kam punu edhe 24 ore se e kam dhënë fjalën para shtetit tem, para qeverisë së Republikës së Kosovës, se me 2 shtator do të jetë rruga , ura e kalueshme dhe prandaj kam punu 24 orë. Ka ardhë me bë fushatë, me bë video aty, jena kanë 50 veta punëtorë edhe ekipa jem, as nuk u ardh me na fol, ka kalu asajde kah shiritat. Prej gjithë shqiptarisë, prej Bujanoci, Maqedoni, Shqipëri, Dibër të Madhe, gjithandej janë ardh edhe na kanë mbështet dhe na kanë përshendet, kurse kandidati për kryetar komun nuk ka ardh me na përshëndet. Përkundrazi kemi qenë tu qit beton, katër miksera të betonit janë kanë tu prit, u ardh ju ka thanë atyne djemve shko nalne punën se po du 1 orë me ba inçizime për video për fushatë. Edhe unë jam kanë poshtë aty kur po m’thotë ai djali, ka ardh edhe një herë ai djali dhe i thashë më fal çka je ka don? Tha me ndalë punën ministri tha. Thashë jo ministrit thuj nuk bën me ndalë punën se ky është beton 450 dhe duhet me qit, kur të kryjna na punën mundesh me ardh edhe bë video sa të duash. Por u kanë e ndershme i thashë ti kur krejt shqiptaria po na përkrah me i marrë dy qese pije më jau sjellë punëtorëve, jo mu, por për respekt.” – ka rrëfyer Dedia.

Dedia ka thënë se nga ai moment kur Faton Peci nuk i ka përshendetur as ky nuk do t’i fliste, por prapë për hirë të kulturës personale dhe familjare ja ka zgjatur dorën sërish.

“E prej aty kur ai nuk më ka fol mu, unë nuk i kisha fol por për hir të kulturës tem dhe të familjes tem e nderit tem, unë jam zgjatë dorën edhe i kam fol.” – tha ai.

Në pyetjen e gazetarit se si kanë qenë raportet me ministrat tjerë si Xhelal Sveçla, Elbert Krasniqi e Hysen Durmishi, ai është përgjigjur se e flet vetëm realitetin dhe se këta ministra nuk i ka njohur dhe nuk ka folur me ta derisa ka filluar ndërtimin e urave.

Dedia ka thënë se ministrat Sveçla, Kransiqi dhe Durmishi e kanë mbështetur me gjithë fuqinë e shtetit.

“Unë e flas vetëm realitetin, betohem në Zot. Unë më të thënë të drejtën nuk kam dëshirë të futëm në këtë çështje. Po ta them në pika të shkurta, unë s’I kam njoft edhe s’kam fol me asnjërin nga ta derisa kam filluar të punojë urat. Por kanë qenë njerëz që më kanë përkrahë, sidomos nga ata tre ministra, Hyseni, Elberti edhe Xhelali, me kanë përkrahë me gjithë fuqinë e shtetit. Me kanë thënë çkado që të kesh nevojë për ura, në 3 të natës e kamë thirrë njëherë Xhelalin kur e kanë lëshu ujin, në tre të natës ma ka çelë telefonin. Unë flas veç realitetin. Unë jam në Partinë Demokratike të Kosovës që 25 vjet dhe do të jem gjithmonë, por realitetin e flas se edhe ata që janë me partinë e Vetëvendosjes e Fatoni partinë Lista Guxo edhe LDK-në, unë kam shokë në të gjitha partitë. Nuk du mem përça me parti poltike se s’kam luftu për parti politike.” – përfundon Dedia.

Videon mund ta ndiqni më poshtë: