Bizneset në vështirësi nga reduktimet e rrymës, Ahmeti kërkon siguri në furnizim: Po u ndërprehet energjia pa asnjë paralajmërim

Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka deklaruar se reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike po e vështirësojnë ndjeshëm funksionimin e bizneseve në vend, duke shkaktuar humbje të mëdha financiare dhe pasiguri në treg.

Ahmeti i tha Lajmi.net se mungesa e stabilitetit në furnizimin me energji ka qenë një nga shqetësimet kryesore të komunitetit të biznesit, veçanërisht pas rritjes së çmimit të energjisë për bizneset dhe kalimit të detyruar të një pjese të tyre në tregun e liberalizuar.

“Reduktimet e energjisë elektrike janë duke e rënduar të bërit biznes në Kosovë. Prandaj ne nga fillimi kur kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë për 16.1% për bizneset që janë në grupin e konsumatorëve të rregulluar dhe sidomos daljen e dhunshme e 1300 bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë, kemi kërkuar që fillimisht të ketë një siguri në kuptimin e furnizimit me energji. Nga vizitat dhe komunikimet e vazhdueshme që i kemi me bizneset anëtare, bizneset në të dyja kategoritë janë duke pësuar dëme të mëdha, për të cilat askush nuk po merr përgjegjësi”, ka theksuar Ahmeti.

Ai ka bërë të ditur se sektorët më të goditur nga ndërprerjet e shpeshta dhe të paparalajmëruara të rrymës janë ata prodhues dhe përpunues, ku pasojat janë veçanërisht serioze.

Ahmeti ka shtuar se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Dhomës së Tregtisë drejtuar institucioneve përgjegjëse për energjinë – përfshirë KOSTT, KEDS dhe KESCO – për koordinim dhe paralajmërim me kohë të ndërprerjeve, zotimet e dhëna nuk janë respektuar.

“Reduktimet e dhunshme dhe pa asnjë paralajmërim janë duke shkaktuar dëme sidomos në sektorët prodhues dhe përpunues. Bizneseve të këtij sektori po u ndërprehet energjia pa asnjë paralajmërim dhe kjo po shkakton telashe të mëdha, prishje të stabilimenteve prodhuese dhe rritje të kostos së prodhimit. Përkundër që në takime i kemi kërkuar vazhdimisht akterëve që merren me sektorin energjetik (KOSTT, KEDS dhe KESCO) që të jenë në koordinim të vazhdueshëm me bizneset, pra t’i lajmërojnë kur bëjnë ndërprerjet e energjisë dhe përkundër se kemi marrë zotimet, të njëjtat nuk janë mbajtur”, ka deklaruar ai.

Drejtori i DhTIK ka theksuar se ende nuk ekziston një vlerësim i saktë i dëmeve të shkaktuara, pasi ato variojnë nga prishja e produkteve deri te dëmtimi i makinerive, që në disa raste nuk mund të rikthehen më në funksion.

“Nuk ka një shifër të saktë, pasi ndërprerjet e energjisë në mënyrë të dhunshme dhe pa asnjë paralajmërim kanë shkaktuar dëme të natyrave të ndryshme që kanë shkuar deri në djegie të makinerisë, e cila nuk mund të kthehet më në funksion apo edhe në prishje të produktit që ka qenë duke u përpunuar”, tregoi ai.

Sipas Ahmetit, mungesa e paralajmërimeve nga institucionet përgjegjëse po e përkeqëson edhe më tej situatën, pasi bizneset nuk kanë mundësi të marrin masa parandaluese për të shmangur dëmet.

“Fatkeqësisht nuk janë paralajmëruar. Po të kishin pasur njoftim për ndërprerje, secili biznes do të kishte ndërmarrë masa për të evituar dëmet që mund të shkaktoheshin nga reduktimet e energjisë”, tha ai