Infuzione për bizneset! Kështu po i quan investimet publike kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna.
Megjithatë, problematike dhe shqetësuese është mënyra se si përzgjidhen vetëm disa biznese nga institucionet qendrore, kryesisht, për këto investime.
Pikërisht dhënia e tenderëve përmes procedurës së negociuar, e njohur si kontrata njëburimore me kompani të përzgjedhura, ka alarmuar bizneset, zëri i të cilave është Oda Ekonomike, raporton Kiks Kosova.
Nga 17 mijë anëtarë të Odës, shumë prej tyre janë të pakënaqur me kontratat njëburimore, praktikë kjo e cila po i diskriminon bizneset, sipas OEK-së.
Në anën tjetër, edhe monitoruesit e Ligjit të Prokurimit Publik, kanë shprehur vërejtjet dhe pasojat e përdorimit të konratatave me negocim nga institucionet.
Ardit Dragusha nga “Demokracia Plus”, tregon se kontratat njëburimore në parim janë të ligjshme, mirëpo problemi qëndron te përdorimi i tyre se sa është në harmoni me ligjin.
Dragusha ka treguar se sa kontrata njëburimore janë nënshkruar që nga viti 2020 deri në vitin 2024. Kulminacioni, sipas tij, ishte në vitin 2023, ku u nënshkruan 349 kontrata të tilla./KlanKosova













