Tregu i kriptovalutave ka nisur javën me optimizëm. Vëmendja kryesore sot është te bitcoin (BTC/USD) dhe çifti dogecoin-bitcoin (DOGE/BTC) në Binance, të cilët po testojnë formacione teknike që mund të sinjalizojnë rritje të fuqishme.
Një thyerje e konfirmuar e bitcoin mund ta dërgojë çmimin përsëri drejt nivelit prej 120 mijë dollarësh, ndërsa një thyerje te DOGE/BTC mund të hapë rrugën që dogecoin të performojë dukshëm më mirë se tregu.
Sipas CoinDesk, optimismi mbështetet nga disa faktorë: mesataret lëvizëse kryesore (50, 100 dhe 200 orëshe) po përputhen në drejtim rritës, duke konfirmuar momentum pozitiv. Përveç kësaj, pritjet për ulje të normave të interesit nga Rezerva Federale javën tjetër kanë shtuar interesimin e investitorëve për kripto. Një tjetër shtysë për DOGE është edhe entuziazmi rreth mundësisë së një ETF.
Edhe XRP po afrohet te pika vendimtare. Monedha është brenda një trekëndëshi zbritës që ka zgjatur gati dy muaj. Nëse arrin ta thyejë këtë formacion, çmimi mund të rikthehet drejt 3.38 dollarëve (kulmi i gushtit), madje edhe deri te 3.65 dollarë (kulmi i korrikut). Analistët theksojnë se treguesi MACD në grafikët ditorë ka kaluar në zonë pozitive, çka rrit gjasat për një rritje të re. Megjithatë, nëse çmimi bie nën 2.67 dollarë, do të ringjallte skenarin e rënies, shkruan Coindesk.
Ndërkohë, Solana (SOL) ka vazhduar trendin rritës, duke regjistruar funde dhe kulme gjithnjë e më të larta. Çmimi aktual është rreth 218 dollarë, dhe nëse arrin të kalojë nivelin kritik të rikthimit Fibonacci 61.8%, atëherë ka gjasa të testojë zonën e rezistencës mes 260 dhe 280 dollarëve.